Rama: Durrësi me projektet e reja do të rifitojë reputacionin që ka pasur

TIRANË, 30 korrik /ATSH/Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Durrësi me projektet e reja që po zhvillohen do të rifitojë reputacionin që ka pasur në kohëra shumë të vjetra.
Në fjalën e tij në hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, Rama u shpreh se, “Durrësi me këtë port dhe me portin turistik, që tanimë është në rrugën e vetë normale të ndërtimeve për projektin e mirënjohur dhe njëkohësisht me projektet e reja që ne po zhvillojmë apo që ne po bëjmë gati për të zhvilluar më në fund do të ketë të gjitha atë peshë që ne duam t’i japim dhe patjetër që do të rifitojë atë reputacion që ka pasur në kohëra shumë të vjetra kur ishte një pikë referimi, sidomos në marrëdhënie me Italinë.
“Marrëdhënia me Italinë për ne është një marrëdhënie speciale. Ne kemi fatmirësisht shumë miq, por Italia është më shumë sesa kaq. Këtë e dimë të gjithë”, tha Rama.
Rama falënderoi ambasadorët e Holandës, Francës dhe Italisë, të cilët u shpreh ai, “na kanë mbështetur për të përcjellë tek kompanitë e mëdha të vendeve të tyre këtë mundësi të re në industrinë detare të Mesdheut”.