Rama: E papranueshme nxitja e dhunës përmes platformave mediatike

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot të papranueshme nxitjen e dhunës përmes platformave televizive apo portaleve, ndërsa u shpreh se adresimi i problemit të dhunës dhe bullizmit në shkolla kërkon ndërveprimin e të gjithë faktorëve.
Në një konsultë publike me një përfaqësi prindërish që drejtojnë Këshillat e Prindërve dhe anëtarë të këshillave në shkolla të ndryshme të Tiranës mbi ndalimin apo kufizimin e platformave TikTok dhe SnapChat, Rama u shpreh se zgjidhja e problemit kërkon bashkëveprimin e të gjithëve.
Nevojitet një hapësirë e ndërmjetme shkollë-shtëpi me aktivitete për nxënësit ku ata ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe ku bëhet zbutja e dozës së helmit që merret nga rrjetet sociale të pakontrolluara dhe paorientuara nga askush.
“Çështja është se duhet ndërveprim midis të gjithë faktorëve, ku çdonjëri mund të japë një kontribut sipas detyrave që ka. Por askush vetëm nuk e mbulon dhe zgjidh këtë problem. Nëse mungon një hallkë mund të jetë perfekt çdo gjë tjetër, por gjërat nuk zgjidhen. Ndaj duhet të jenë të gjithë hallkat bashkë që këto raste specifike të evidentohen shpejt dhe të adresohen nga të gjithë bashkë”, tha Rama.
Rama tha se ka plot raste të fëmijëve problematikë me patologji sociale apo sociopatë që që kërkojnë një presion të menjëhershëm nga të gjithë komponentët e tjerë.
“Ne duhet të bëjmë të kundërtën e asaj që bëjnë një pjesë e madhe e medieve, për të nxjerrë së bashku atë energji që duhet për t’i çuar gjërat para edhe më shpejt. Është e padrejtë dhe e pandershme nxitja e pambështetur në fakte e ankthit dhe panikut dhe nxitja e dhunës haptazi nëpër platforma televizorësh nga persona dhe forca që normalisht duhet të mendojnë për të kundërtën. Nuk po flasim për forcat politike, por për forcat shoqërore dhe një pushtet si ai i medias që ka misionin shumë fisnik të informimit. Por në fakt janë bërë bashkë dhe ngatërruar keq fare TikTok me kanalet e portalet për gjithë tërheqjen e audiencës, sepse kush ka më shumë audiencë? Normalisht ai që thyen pianon mbledh njerëz, jo ai që ecën normal në rrugë”, u shpreh Rama.
/a.f/r.e/