Rama: Të ngremë në piedestal modelet e mira, shoqëria ka nevojë për to

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Në takimin e parë të konsultimit publik për mbylljen e platformave TikTok dhe SnapChat, kryeministri Edi Rama foli nga gjimnazi “Sami Frashëri” me një përfaqësi mësuesish dhe prindërish. Rama tha se vlerësimi dhe ngritja e modeleve pozitive në shkolla, përmes aktiviteteve në sport, art dhe zeje është një mënyrë e mirë për të dhënë shembuj pozitiv, pasi shoqëria ka nevojë për shumë të tillë.
“Është jashtëzakonisht thelbësore që shkolla të mos jetë vetëm të shkojnë në klasë e të dalin nga klasa, po të jetë shumë më tepër se kaq, prandaj i kemi bërë dhe shkollat qendra komunitare që duhet pastaj t’i përmirësojmë, t’i zgjerojmë.
Prandaj kemi bërë dhe lëvizjet e sportit në shkollë, kemi rreth 12 mijë tani, fëmijë të angazhuar me skuadra sportive, me një sistem të tërë kompeticioni, prandaj kemi bërë dhe programin e artit dhe të zejeve, sepse nuk është çështje si të thuash, nënvlerësimi i atyre që nuk janë mirë në mësime, por është e çështje e vënies në piedestal e shembujve më të mirë, sepse në këtë shoqëri, në çdo shoqëri e sidomos në shoqërinë demokratike shembujt janë shumë të rëndësishëm, jo për t’u thënë të tjerëve që ju, po për të vlerësuar ata që janë më të mirët, në forma nga më të ndryshmet”, u shpreh Rama.
/a.f/r.e/