E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ekonomia, pagat dhe investimet nuk rriten në një mjedis me korrupsion

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër Edi Rama, në Asamblenë e Partisë Socialiste në Fier, u shpreh se fokusi i qeverisjes dhe mazhorancës është te rritja e pagave dhe reformat.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se investimet e huaja, paga dhe ekonomia nuk rriten në një mjedis ku ka korrupsion. Sipas tij, kjo është e pamundur.

“Ajo që dëgjoni ju të tërë, unë në fakt me thënë të drejtën nuk është se nuk dëgjoj, po kam fituar ca karakteristika nga halli, që shumë pak më mbeten në vesh se më hyjnë nga njëri vesh dhe më dalin nga tjetri kur i dëgjoj, por shumë njerëz i dëgjojnë. Dëgjojnë, mërziten, shqetësohen, neveriten, turbullohen nga mëngjesi deri në darkë: korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni”, tha Rama.

“Tani, pyetja e thjeshtë që i duhet bërë çdo njeriu që ka nevojë të dijë të vërtetën dhe që është i interesuar të dëgjojë se ata që nuk duan ta dinë të vërtetën, ose ata që e dinë të vërtetën, por s’janë të interesuar të dëgjojnë, ata nuk kanë për ta pranuar kurrë. Pyetja e thjeshtë është kjo: ‘’Po mirë, si është e mundur që ky korrupsioni është rritur si asnjëherë më parë, ndërkohë që ekonomia është rritur si asnjëherë më parë? Si është e mundur që korrupsioni qenka rritur aty ku s’mban më, po ndërkohë janë rritur pagat, ndërkohë indeksohen pagat, ndërkohë paguhet vjetërsia në punë, ndërkohë po rriten pensionet, ndërkohë rriten investimet”, vijoi ai.

“Ndërkohë investimet e huaja të cilat kur ne kemi marrë detyrën ishin 300- 400 milionë euro mesatarisht në vit, shkuan në 1.6 miliardë në vitin e kaluar? Si shpjegohet që të ardhurat të ardhurat në arkën e shtetit rriten si asnjëherë më parë? Sepse korrupsioni që të rritet, duhet të marrë para nga këto. Nuk mund të rriten të dyja bashkë. Është e pamundur. O rritet njëra, o rritet… Nuk ka vend  ku rritet korrupsioni dhe rriten në këtë formë edhe pagat, edhe pensionet, edhe investimet, edhe shpenzimet kapitale në tërësi, edhe numri i të gjitha veprave të infrastrukturës dhe që kanë të bëjnë me infrastrukturën madhore apo me infrastrukturën sociale. Është e pamundur!”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›