Rama: Zhvillimi ekonomik mundësoi rritjen e pagave, rritje progresive e pensioneve deri në 2030

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër Edi Rama, në Asamblenë e Partisë Socialiste në Fier, u shpreh se fokusi i qeverisjes dhe mazhorancës është te rritja e pagave dhe reformat.
Gjatw fjalws së tij Rama theksoi se politika e rritjes së pagës dhe indeksimit erdhi pasi zhvillimi ekonomik e lejoi një gjë të tillë.
“Ne nuk është se nuk e kemi ditur që nuk është e drejtë të trajtosh me të njëjtën pagë të gjithë mësuesit pavarësisht vjetërsisë së tyre në punë, por nuk kemi pasur mundësi që vjetërsinë në punë ta njohim si një arsye ligjërisht për të marrë një pagë më të lartë, sepse ekonomia, sepse arka e shtetit, sepse llogaritë financiare nuk na e kanë bërë të mundur, ama sot, jo vetëm për mësuesit, por edhe për mjekët dhe për infermierët dhe për Forcat e Armatosura dhe për punonjësit e Policisë dhe për administratën, vjetërsia në punë njihet ligjërisht si një arsye për të marrë një pagë më të lartë sesa dikush tjetër në të njëjtën kategori, por që është më i ri në atë punë. Ashtu sikundër, sot ne kemi hapur një faqe të re me indeksimin e pagave.
“Nuk e kemi bërë më parë, jo se nuk e dinim që ishte diçka që duhej bërë, por nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë. Kemi indeksuar pensionet, po s’kemi indeksuar dot pagat dhe kjo ka bërë që pagat të rriten si asnjëherë më parë, por ama inflacioni sidoqoftë, t’i ngacmojë dhe të mos e lejojë të gjithë fuqinë blerëse që buron nga një pagë po të marrë një pjesë. Me rritjen e ekonomisë dhe me krijimin e mundësisë sot të gjitha pagat për të gjitha këto kategori që thashë, indeksohen”, tha Rama.
“Pra, shtoi ai, janë rezultate për të cilat është punuar dhe për të cilat është dashur durim, sikundër janë rezultate për të cilat është punuar dhe është dashur durim në të gjithë sektorët”.
Rama tha se politika e rritjes së pensioneve nuk do të ndalet deri sa rritja e pensionit të pesëfishohet në vitin 2030.
“Sot ne nuk e kemi më sekëlldinë nganjëherë shumë të madhe, që unë personalisht për shembull kam përjetuar, kur gjendesha në salla si kjo edhe çohej një pensionist dhe thoshte ‘’mirë të tëra, po ne kur do na rritet pensioni’’. Ishte sekëlldi shumë e madhe sepse ne e dinim shumë mirë që ditën e parë që pensionet ishin shumë të pamjaftueshme se nuk po them që sot janë të mjaftueshme. Po ishin shumë të pamjaftueshëm.
Dhe mos harroni që pensioni mesatar në Republikën e Shqipërisë kur ne kemi marrë detyrën ka qenë 86 euro. 86 euro pensioni mesatar! 86 euro, sa për dijeni është shtesa e projektuar mujore e pensioneve në këtë ciklin e këtij mandati. Pra ky është një ndryshim shumë i madh, por s’kishim mundësi. Dhe tre mandatet e para, ne i kemi fituar pa bërë një premtim konkret për rritjen e pensioneve. Vetëm kur kemi qenë në fushatën për mandatin e katërt, ne, në programin tonë zgjedhor nxorrëm një plan konkret për rritjen e pensioneve, plan të cilin kemi filluar ta zbatojmë në janar të këtij viti duke bërë një rritje e cila do të dyfishohet në janarin e ardhshëm; do të trefishohet në janarin 2028-ës, do të katërfishohet në janarin e 2029-s dhe do të pesëfishohet në janar e 2030-ës. Tani, edhe kjo edhe kjo erdhi si rezultat i rritjes së ekonomisë, pra i rritjes së mundësive”, përfundoi Rama.
/a.f/