Rama: Ekspertizë ndërkombëtare për procesin

Partia Socialiste do të vazhdojë betejën ligjore për të kundërshtuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor i cili la në fuqi vendimin e Komisionit Qëndror të datës 23 maj, duke shpallur fitues Lulzim Bashën.
Kreu i opozitës Edi Rama edhe pse nuk e artikuloi në mënyrë të qartë, u shpreh se do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë dhe do ti drejtohen institucioneve ndërkombëtare për të thënë fjalën e fundit.
Në daljen e tij të parë pas vendimit të Kolegjit, kryetari i Partisë Socialiste e përcaktoi vendimin e Kolegjit si një padrejtësi të radhës në dëm të popullit.
Kreu i selisë rozë ndër të tjera deklaroi se shumë shpejt ata do ti drejtohen përsëri Kolegjit. E veçanta e deklaratës së kreut të opozitës ka qenë fakti se nuk janë përmendur protestat, pavarësisht se më parë është deklaruar se do të zhvilloheshin në rast se Kolegji do të linte në fuqi vendimin e Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.