E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Ermonela Jaho ngriti peshë publikun me zërin e saj qiellor në TKOB

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Sopranoja e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho u duartrokit mbrëmjen e djeshme nga publiku i kryeqytetit gjatë koncertit të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

I titulluar “Rikthimi i dallëndyshes”, programi i koncertit përmbante arie nga më të njohurat e repertorit operistik botëror, të cilat u luajtën nga virtuozët e orkestrës  të TKOB-së, drejtuar prej maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga koncerti i Ermonela Jahos.

“Krenaria jonë në çdo skenë ndërkombëtare lirike, Ermonela Jaho, pasi ka “shtegtuar” në mbarë botën, rikthehet aty ku nisi gjithçka, në Shqipëri, në një natë magjike në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, së bashku me tenorin amerikan Charles Castronovo, duke ngritur peshë publikun me zërin e saj qiellor”, shkruan Rama.

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është një ndër më të suksesshmet dhe më të njohura në botë, me një zë brilant. Me albumin e saj “Anima Rara” ajo ka marrë vlerësime të shumta. Albumi doli në treg në mbarë botën në formatin fizik dhe digjital, më 25 shtator të vitit 2020. Ndërkohë që Ermonela fitoi edhe çmimin “Artistja e huaj më e mirë” për vitin 2023, për interpretimin e “Suor Angelica” në Barcelonë. 1 nga 11

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›