Rama: FA pajisen me mjete ushtarake të prodhuara në Shqipëri, një objektiv strategjik u bë realitet

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se një nga objektivat strategjikë të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes është kthyer tashmë në realitet, teksa flota e parë e mjeteve të prodhuara në vend sipas standardeve të NATO-s ka nisur të vihet në dispozicion të Forcave të Armatosura.
I pranishëm në aktivitetin për marrjen në dorëzimin nga Forcat e Armatosura, të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s nga kompania “Timak Defence”, Rama e cilësoi këtë si një moment historik për vendin dhe për ushtrinë shqiptare.
Rama tha se “sot ajo çfarë ishte në vizion dhe në strategjinë e shkruar është e prekshme me sy. Flota e prodhuar në Shqipëri për Forcat tona të Armatosura sipas standardeve të NATO-s nga profesionistë shqiptarë sapo ka nisur të vihet në dispozicion të ushtrisë shqiptare”.
“Është një moment i jashtëzakonshëm pasi ndodh të vijmë të shohim të prekim, të përjetojmë rezultatin e një përpjekje shumë të gjatë. E një përpjekjeje që ka nisur në buzë të greminës për Shqipërinë dhe për FA, të cilat ishin në pikë të hallit, thjesht dhe vetëm një ushtri që mbahej më këmbë nga pasioni, nga vullneti, dija dhe patriotizmi i atyre që qysh në fëmijëri ia kanë kushtuar jetën uniformës së ushtarakut, por që ishin të braktisur në fatin e tyre”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “as nuk bëhej fjalë që të përfytyronim një industri ushtarake, ndërkohë që historitë e tenderave e ngatërresave të llojllojshme, historitë e blerjeve të makinerive laramane ishin historia e përditshme e shtetit shqiptar në të gjitha institucionet dhe për të gjithë sektorët që kanë nevojë për këtë logjistikë”.
Sot, tha Rama, jemi dëshmitarë se kemi hyrë në një fazë të re, jemi dëshimtarë të një Shqipërie që nuk është vetëm përdoruese e teknologjisë së mbrojtjes, por është edhe projektuese dhe zhvilluese e kapaciteteve teknologjike, të cilat sapo kanë nisur të japin rezultatet e para.
Më tej Rama u ndal te historia e sipërmarrëses Arieta Puço, të cilën e cilësoi protagonisten e këtij transformimi.
“Këtu nuk mund të rri pa ndalur një minutë tek protagonistja e kësaj historie që është Arieta, e cila është një vajzë nga Bulqiza. Familja e saj ka emigruar kur ajo ishte vetëm 4 vjeç. I ati, si një bir i denjë i atyre territoreve, ishte shumë më i lënduar me veten që nuk kishte një djalë, por vetëm vajza dhe Arieta vendosi të bëhej “djali i babait” duke e ndjekur atë nga pas, hap pas hapi, aty ku ai punonte në emigracion, në një fabrikë e cila prodhonte pikërisht mjete motorike”.
Pastaj, shtoi Rama, në një moment caktuar, pas 25 vjetësh, Arieta vendosi të vijë në Shqipëri dhe të krijojë një start up për të prodhuar mjete motorike.
“E parë me atë shpotinë e realitetit burrëror shqiptar, e refuzuar në të gjitha dyert e institucioneve ku mund të kishte marrë ndihmë, ajo vendosi t’i lërë burrat jashtë punishtes së vet dhe në punishte të pranonte vetëm vajza. Lindi një start up amazonash shqiptare që vendosën të sfidojnë gjithë odën e burrave të sipërmarrjes në këtë vend. Kështu jemi njohur me Arietën, kur ajo më tregoi ëndrrën që të prodhonte makinën e parë 100% shqiptare”, tha Rama.
Por, vijoi Kryeministri, ndërkohë start up i saj në ato mundësi dhe në atë situatë izolimi nga institucionet kishte arritur të eksportonte ambulanca të prodhuara në ato punishte këtu në Shqipëri në Ukrainë.
“Ndërkohë, ne vijonim të blinim ambulanca dhe mjete lart e poshtë me tendera dhe duke i çuar paratë jashtë vendit. Më pas bëmë një pakt burrash me “djalin e babait” dhe sot jemi këtu”, tha Rama.
/k.s/r.e/a.f/