E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra intensifikon procesin e legalizimeve në Lushnjë, nis evidentimi i ndërtimeve informale në Plug dhe Gramsh

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka nisur një aksion të posaçëm në bashkinë e Lushnjës për evidentimin dhe trajtimin e ndërtimeve informale në fshatrat Plug dhe Gramsh. Përmes këtij aksioni synohet përshpejtimi i procesit të legalizimit si dhe evidentimi i të gjitha objekteve që plotësojnë kriteret ligjore.

Sipas njoftimit të ASHK-së, krahas shqyrtimit të kërkesave ekzistuese për legalizim, specialistët po evidentojnë dhe trajtojnë edhe ndërtimet informale të ngritura brenda afateve të përcaktuara nga ligji, por që nuk janë vetëdeklaruar ndër vite.

Për realizimin e këtij procesi, ekipet e ASHK-së do të jenë çdo ditë në terren deri në përfundimin e plotë të evidentimit të objekteve.

ASHK u bën thirrje qytetarëve që kanë ndërtime informale në këto zona të bashkëpunojnë me specialistët gjatë verifikimeve në terren, me qëllim përfshirjen e tyre në procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Aksioni synon përmbylljen sa më efikase të procesit të trajtimit të ndërtimeve informale dhe krijimin e një pasqyre të plotë të situatës në terren në fshatrat Plug dhe Gramsh të bashkisë së Lushnjës.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›