Rama: Fitorja do jetë edhe më e thellë. Por tani duhet të fitojnë standardet e procesit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp, tha se fitorja e tyre do jetë me e thellë. Por ai i bëri thirrje PD-së që të kontribuojë në mënyrë që të fitojnë standardet e procesit.
Dje, ju thashë që Rilindja ka fituar mbi rrënimin, sot u them se fitorja do jetë më e thellë nga sa duket.
Por ka kohë akoma për të festuar, tani është koha për të përmbushur dy aspekte themelore të kontratës sonë me Shqipërinë.
E para, thirrja ime për çdo deputet, për çdo drejtues dhe koordinator, për çdo numërues të PS dhe të aleancës sonë, asnjë votë, asnjë votë, asnjë votë, nuk duhet të cenohet. Duhet të numërohet çdo votë në respekt të çdo shqiptari.
Duhet të sigurojmë se çdo votë që zgjedhëset dhe zgjedhësit shqiptarë kanë çuar në kutinë e votimit, të numërohet dhe të shkojë në atë adresë ku ata e kanë çuar. Të numërojnë çdo votë të çdo subjekti zgjedhor.
Sot është dita e parë e Rilindjes dhe ne duhet të sillemi me votën e çdo shqiptari si fuqia që do të rilindë Shqipërinë dhe Rilindja duhet të respektohet me respektin për çdo votë, tha Rama.
Dhe e dyta, sot kemi detyrimin ti japim Shqipërisë dhe shqiptarëve mundësinë që të krenohen përpara botës mbarë për këtë proces zgjedhor, nga ku Shqipëria duhet të dalë e pastruar nga njollat e së shkuarës dhe të dalë si një vend dhe popull evropian, që me votën e tyre treguan përkatësinë e tyre shpirtërore ndaj këtij atdheu, të cilin e shpëtuan.
Prandaj unë dua ti drejtoj një mesazh kundërshtarit tonë: ka gjithmonë një kohë për të humbur dhe sot është koha për ta bërë këtë me nder, në nderin e Shqipërisë, duke bashkëpunuar në çdo tavolinë numërimi për të garantuar paprekshmërinë e dinjitetit të popullit shqiptar në këtë proces. Që do të thotë se ky proces duhet të vazhdojë pa pengesa. Të gjithë ata që janë dërguar nga partitë për të numëruar votat e sovranit duhet të jenë në lartësinë e kësaj detyre fisnike. Besoj se pavarësisht se në këto zgjedhje ka fituar PS, Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe ka humbur PD dhe aleanca e tyre, është detyrim i barabartë i yni dhe i tyre që të nxjerrim Shqipërinë të fituar nga ky proces dhe bota të na përgëzojë.
Ky është ai moment në politikë ku të humburit të marrin pjesë me dinjitet në fitoren e tyre, vijoi kryetari i PS./ep