E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Fitorja e 11 majit, për të përmbushur misionin e anëtarësimit në BE. Humbësit kronikë s’e pranojnë realitetin e fakteve

“Fitore historike” për të përmbushur premtimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE e ka konsideruar kryeministri Edi Rama rezultatin e Partisë Socialiste në garën elektorale të 11 majit.

Nga Pallati i Brigadave, ku mblodhi deputetët socialistë, Rama tha se në mandatin e katërt Shqipëria “do të ndryshojë përgjithnjë”.

 “Fitorja në zgjedhje nuk është qëllim në vetvete, pro për të arritur qëllimet duhet të fitosh zgjedhjet. Fitorja nuk na duhet për të mundur të tjerët, por për të përmbushur misionin historik që kemi, për të ndryshuar përgjithnjë Shqipërinë, duke zhvilluar ekonominë, garantuar drejtësinë, përmirësuar arsimin dhe shëndetësinë, forcuar sigurinë, rritur reputacionin ndërkombëtar dhe bërë histori me anëtarësimin e vendit tonë në BE brenda kësaj dekade. Për ta vënë tërësisht në funksion të këtij vendi një fitore të arritur, na duhet një punë e madhe”, u shpreh ai.

Rama theksoi se mandati i katërt do të shërbejë edhe si një “fuqi vetëkorrigjuese” në Partinë Socialiste, duke paralajmëruar ndryshime në nivelin e udhëheqjes së partisë, grupit parlamentar dhe qeverisë.

“Do ta nisim nga vetja për ta ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, kuptuar ndryshe dhe bërë ndryshe në nivelin e udhëheqjes së partisë, grupit parlamentar dhe qeverisë. Na duhet një mirëkuptim mes nesh për të siguruar popullin shqiptar me fjalë të përputhura me veprat se ne do ta përdorim fuqinë e jashtëzakonshëm të mandatit të katërt si një fuqi vetëkorrigjuese. Sa më shumë të vetëkorrigjohemi ne, aq më shumë do të përfitojë Shqipëria, shqiptarët dhe do garantohet anëtarësimi i vendit në BE. Nuk është rastësi që kur kjo parti ka qenë mirë, Shqipëria ka qenë mirë dhe sa jo mirë ka qenë kjo parti, aq më jo mirë ka qenë për Shqipërinë”, u shpreh ai.

Ndalur te opozita, kryeministri tha se ata nuk duan të pranojnë realitetin e fakteve dhe “kjo i ka bërë humbës kronikë”. Akuzat për vjedhjen e votave, kryeministri i konsideroi si fakte “nga një univers paralel”.

“Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një lufte absurde me faktet dhe jetojnë në një univers paralel ku Shqipëria që përparon është propagandë, ku shqiptarët janë të blerë dhe ndërkombëtarët janë të shitur, zgjedhjet i fitojnë ata dhe ne i vjedhim. Këto ditë, universi i tyre paralel është mbushur me thasë resh të zeza që derdhin shiun e votave të vjedhura, trena bullgarë që përshkojnë malet dhe fushat e Shqipërisë, vargmale të mbjella me kanabis që lulëzojnë, dhjetëra deputetë që kanë dalë nga shpellat e krimit me mandate të grabitura përmes terrorit elektoral të bandave. E vërteta është që ne s’kemi asnjë zhgënjim këtu, avazi është i njëjti siç e kemi ditur dhe siç e prisnim dhe siç e paralajmërova unë me precizonin e atij që e ka parë  një film 10 herë. Ndërkohë që ne morëm frytet e një pune të gjatë, ndonjëherë gërryese, të programuar dhe zbatuar hap pas hapi, që sollën dallgën e 11 majit”, theksoi kryesocialisti.  

Sipas Ramës, fitorja e PS-së i atribuohet një pune të palodhur, që ka nisur shumë më herët se zgjedhjet, teksa për opozitën tha se “qëndruan në shtëpi”. Kreun e demokratëve, Sali Berishën, Rama e etiketoi si “një kufomë ambulante me kapelën e Trump në kokë”, referuar kapelës me numrin 1 që mbajti Berisha gjatë fushatës elektorale, e ngjashme me atë të përdorur nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Ne e nisëm kohë më parë; krijuam bordin kombëtar të diasporës. Mblidheshim çdo të hënë me Zoom me 100 vetë për ngritjen e një rrjeti vullnetarësh, jo vetëm në Greqi por në çdo vend ku shqiptarët janë. Kur ne bënim këto, Jozefina qëmtonte fatin nëpër filxhanë. Është shumë e thjeshtë: del më mirë ai që ka motivuar shumë. Është si ajo fjala, ku njëri thotë “rrush”, ndërkohë që ata që kishin dalë në punë kishin mbushur koshat. Një kufomë ambulante me kapelën e Trump. Ne e ngjitëm PS në rekord: 83 mijë vota më shumë se në 2021. 82 mandate i kemi marrë në Shqipëri, një nga diaspora në Vlorë. PS kaloi kufirin e 50%, nga 47% në 53%. Morëm shumë për shkak të konkurrencës brenda kandidatëve, ata ishin vlerë e shtuar për rezultatin historik. Përgëzoj drejtuesit dhe drejtueset e qarqeve që e nisën që në shtator se cilët do të ishin kandidatët dhe në dhjetor i listuan.

Edhe ata që kishin rezerva për garën, gara e brendshme solli rendimentin kolektiv. Ndërsa madhështorët ranë me kokë poshtë me 14 mandate më pak. Edhe në turet që bëja më thonin se nuk i kanë parë madhështorët. Politika do të mbetet e ndarë në dy universe paralele. Universi ynë, i një Shqipërie që përparon por edhe bie, do të vazhdojë të mos reflektohet në pasqyrat mediatike. Në atë pasqyrë, kufiri mes fakteve dhe opinioneve është bërë njësh. Janë 40 vetë që sillen kanal më kanal e portal më portal, duke bërë akuza dhe duke akuzuar popullin si të çmendur. Lajmi i mirë është se shumica nuk u beson më. Vetëm kur të ndryshojë mendësia e opozitës, do të ndryshojë edhe media. Një plak tiran i ulët, që s’ka lënë të zezë pa bërë, dhe vetë është bërë e zeza. Ne kemi marrë votat tona. 200 mijë që i mungojnë opozitës janë ata që kanë qëndruar në shtëpi”, u shpreh ai.

Partia Socialiste korri një fitore të thellë në zgjedhjet e 11 majit, duke marrë në total 83 mandate. Nga ana tjetër, PD e cila garoi si pjesë e koalicionit PD-ASHM mori 50 mandate. 3 mandate mori PSD, 2 mandate “Partia Mundësia” dhe nga një mandat morën “Lëvizja Bashkë” dhe “Nisma Shqipëria Bëhet”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›