Rama: Fokusi tek agropërpunimi, synojmë 1 miliardë euro eksporte

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Kuçovë me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme të zonave rurale, ku ndau edhe informacionin për dy linjat e reja të financimit për zhvillimin rural, kredinë e butë dhe garancinë sovrane.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal edhe tek eksportet ku theksoi se synojmë të shkojmë në 1 miliardë euro.
“Me zhvillimin e agropërpunimit duhet të fokusohemi shumë fort, sepse agropërpunimi është mënyra si të krijojmë vlerë të shtuar, ne kemi tejkaluar gjysmë miliardi e eksporteve që dukej e pamundur kur kemi marrë detyrën, por duhet të shkojmë në 1 miliardë eksporte duhet të rrisim vlerën dhe rritja në vlerë behët nëpërmjet agropërpunimit patjetër”, tha Rama.
“Kemi rezultate shumë të mira në përmbajtjen e deficitit tregtar, kur kemi marrë detyrën e kishim 1 me 8 pra për ushqimin, eksportonim 1 dhe importonim 8. Sot jemi në 1 me 3 dhe ambicia është të shkojmë në 1 me 2 pa diskutim. 1 me 3 tregon se prodhohet shumë më tepër për tregun vendas dhe një pjesë e mirë e atyre që merreshin dje nga tregu huaj i prodhon tregu vendas”, u shpreh Rama.
/a.f/