Sipërmarrësit: Bujqësia sot është kthyer në një produkt bankar, presim mbi 10 000 turistë në vit

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Agroturizmat janë kthyer atraksione turistike për vizitorët dhe sipërmarrje që po nxisin zinxhirin e vlerës duke i dhënë zhvillim zonave rurale në disa drejtime.
Sipërmarrës të këtij sektori në një takim me kryeministrin Edi Rama, në Kuçovë, u shprehën optimist për mbështetjen financiare të qeverisë dhe ndanë eksperiencat e tyre në sipërmarrjet që drejtojnë.
Një sipërmarrës në sektorin e agroturizmit, teksa ndau historinë e tij për ngritjen e një bujtine që sot frekuentohet shumë nga turistët, tha se, “ne duhet të japim shembullin tonë, pasi çdo gjë fillon nga vetja”.
“Ka shumë histori dhe shembuj të suksesshëm që ne duhet të sjellim në vendin tonë, çfarë kemi akumuluar nga emigrimi, duke sjell eksperiencën më të mirë që kemi fituar jashtë, në sipërmarrjet tona, në tokën tonë”, tha ai.
Ndërsa një sipërmarrëse u shpreh se, zhvillimi i sektorit ka bërë që tashmë ndryshe nga më parë, janë bankat që po drejtohen tek bizneset bujqësore. “Bujqësia sot është kthyer në një produkt bankar. Ushqimi dhe gjithçka është në zhvillim dhe qasja për bujqësinë dhe agroturizmin po ndihet”, u shpreh ajo.
Julian Shyqëriu, një sipërmarrës në agroturizëm tregoi se qendra e tij është kthyer në një atraksion për vizitorët vendas dhe të huaj.
“Unë mbarështoj 650 krerë bagëti të imta, kemi baxhon tonë dhe prodhojmë vetë dhe ajo që më bën të ndihem krenar është mbështetja nga ministria edhe AZHBR, përmes skemave të mbështetjes, ndërsa paketa e maleve është një risi për rritjen e investimeve tona në vendin tonë”, tha ai.
Joni, një i ri që është i angazhuar në agroturizëm ftoi të pranishmit ta shohin, industrinë e agroturizmit si një mundësi bashkëpunimi për ta zhvilluar më tej.
Sadik Muçobega tregoi se është kthyer nga emigrimi dhe bashkë me bashkëshorten kanë ngritur një bujtinë në Brataj në zonën e Lumit të Vlorës. “Hapja e rrugës së re i ka dhënë më shumë zhvillim zonës dhe biznesit tonë” tha ai.
Petriti, një tjetër sipërmarrës në fushën e agroturizmit, tha se numri turistëve është rritur. “Unë jam në Roshnik dhe pres rreth 10 000 turistë në vit”, u shpreh ai. “Duhet të jemi dhe ti përshtatemi tregut dhe kërkesave të tij”, vijoi Petriti.
Një re tregoi se ka ngritur një bujtinë në tokën e prindërve të saj, ndërsa aspiron të përfitoj nga paketa e maleve për të zgjeruar investimin në tokën e pashfrytëzuar, pronë e prindërve të saj për të patur një zhvillim edhe më gjithëpërfshirës.
1 nga 4