Rama: Fondet për Drejtësinë jashtë trajektores normale, si nuk kanë mjete për të regjistruar dëshmitë

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste në fjalën e tij në dëgjesën e Grupit Parlamentar me kërkesë të kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, foli edhe për fondet në drejtësi, duke iu drejtuar ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.
“Tani vijmë tek standardet, si ka mundësi ministër i Drejtësisë dhe të gjithë ju njerëzit e drejtësisë këtu, dhe ti kryetar i komisionit të financave që kjo shumicë qeverisëse ka miratuar fonde. Dy fonde janë në buxhetin e shtetit shqiptar që janë komplet jashtë gjithë trajektores normale: Fondi i mbrojtjes për shkak të detyrimeve të NATO-s dhe fondi i drejtësisë”, tha Rama.
“Paga që nuk krahasohen me pagat e askujt këtu, fonde që nuk janë parë kurrë në historinë e këtij shteti për drejtësinë dhe këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat për personat që marrin në pyetje dhe mbajnë personat në pyetje me orë të tëra dhe në fund i japin një copë letër dhe janë akoma te ajo, se kam shkuar edhe unë njëherë dikur, unë flisja dhe njëri i binte makinës daktilografike, ku jemi këtu ne?”, u shpreh Rama
“Në çdo film sa herë që dikush shkon atje te dhoma e hetuesve, e para njëherë i tregohen të drejtat dhe e dyta, i shtypet regjistrimi. Këtu Filip Çakulin të merrnin t’i bënin një kontratë atje dhe t’i thoshin hajde na ndihmo se nuk kemi lekë, na ka lënë qeveria pa lekë të regjistrojmë njerëzit që vijnë. Ku jemi këtu ne? Çfarë lidhje ka kjo me njërin, tjetrin, tjetrin, tjetrin dhe në fund të fundit çlidhje ka kjo me ne këtu”, theksoi Rama. /j.p/