KLGJ: Pavarësia e gjyqësorit, ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar në lidhje me deklaratat në drejtim të gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Këshilli i Lartë Gjyqësor bëri të ditur se “ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
“KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, njofton KLGJ.
Këshilli njofton më tej se “në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, iu bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit”.
“Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, nënvizon KLGJ.
Këshilli thekson “se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë”. /j.p/