Rama: Fondi i pagave 1.3 miliardë euro, rritje mbi 2 herë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se fondi i pagave është rritur më shumë se dy herë përgjatë kësaj dekade dhe se në 2025-ën ai shkon në 1.3 miliardë euro.
Rama, në fjalën e tij në Kuvend teksa po diskutohet projektbuxheti për vitin 2025, bëri të ditur se paga minimale nga 156 euro 10 vite më parë, është sot 400 euro, ndërsa paga mesatare në sektorin publik shkoi 900 euro.
“Dëgjojeni fondin e pagave. E kemi nisur rrugën tonë me një fond pagash në sektorin publik afro 500 milionë euro dhe në buxhetin që do të miratojmë, Buxhetin 2025, fondi i pagave është më shumë sesa dyfishi, 1.3 miliardë euro. Nga një pagë minimale dje 156 euro kemi sot një pagë minimale 400euro, nga një pagë të përgjithshme mesatare dje 321 euro kemi sot një pagë të përgjithshme mesatare 751 euro. Nga një pagë mesatare në sektorin publik 371 euro dje kemi sot një pagë mesatare 900 euro, të gjitha të rritura afro 2-fish e gjysmë”, deklaroi Rama. /j.p/