E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Fuqizuam përfaqësimin e grave në PS dhe qeverisje, 52% e listës së mbyllur janë gra dhe vajza

TIRANË, 24 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot nga Elbasani se “shumë nga arritjet e kësaj qeverie në gjithë këto vite nuk do të ishin realizuar nëse nuk do të kishin arritur të bënin fuqizimin e grave dhe vajzave”.

Në një takim me gra dhe vajza të Qarkut Elbasan, Rama u ndal te përfaqësimi i grave në PS dhe më tej në qeverisje, ku Shqipëria renditet në pesë vendet e para nga Kombet e Bashkuara për barazinë gjinore.

“Një parti pa gratë është çyryk. Kjo është e vërteta”, tha Rama, ndërsa kujtoi se kur mori drejtimin e partisë PS kishte në totalin e vet rreth 12% gra dhe vajza.

“Kishim 12% gra dhe vajza që përgjithësisht nuk i ftonin në organizata. Nuk i shihnin si një forcë e madhe përveçse me fjalë. Jam shumë krenar sot, pasi ne jemi të pathyeshëm sepse sot kemi 40% gra dhe vajza në PS. Ndaj kemi edhe gjithë ato kandidate gra. Por nuk duhet të ndalemi, duhet t’i bëjmë 50% gra dhe vajza. Aktualisht kemi 39 mijë anëtare të PS-së, nuk duhet të ndalemi pa i bërë 50 mijë e një”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe faktin se PS imponoi edhe për të tjerët dhe sot si askush tjetër në rajon 50% e këshillave bashkiakë përbëhen nga gra dhe vajza.

“Sot ne kemi një qeveri që për të disatin vit rresht është në 5-shen e parë të klasifikimit të Kombeve të Bashkuara për barazinë gjinore dhe vendin që i është dhënë grave.”

Po ashtu Rama solli në vëmendje edhe rritjen e grave në sipërmarrje, ndërsa theksoi se aktualisht 30% e sipërmarrjeve drejtohen nga gra.

“Sot ne jemi e vetmja parti që kemi bashkëdrejtim të organizatave socialiste. Pikërisht pse kemi kaq shumë gra në drejtim kam shumë besim se do të kemi edhe partinë më të fortë në këto zgjedhje në organizim”, tha Rama, ndërsa theksoi se PS ka 71 gra dhe vajza në skuadrën e deputetëve dhe 52% të listës së mbyllur po ashtu.

“Prandaj, që mos të rrëzohet kurrë PS nuk duhet të harrojë kurrë me thënë: O nënë, shoqe motër, gocë. Erdhi “këneta” këtu para ca kohësh. I kishte mbledhur burrat nga të gjitha anët, por kaq plot dhe bukur këtë sallë nuk e kap dot kurrë”, tha Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›