Rama: Gati të takohem me Berishën

Pas deklaratës së Luksemburgut, duket se përgjigjja për arritjen e një marrëveshjeje i ka mbetur shumicës së drejtuar nga Sali Berisha. Rivali i tij politik, lideri i opozitës, Edi Rama, ka dhënë dje një përgjigje për angazhimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, teksa ka shprehur gatishmërinë e plotë për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar mes palëve. “Ky është një rast i duhur për të shprehur gatishmërinë e PS-së e të opozitës së bashkuar për zgjidhjen e krizës politike përmes arritjes së një marrëveshjeje të negociuar, që ngrihet mbi parimin më të rëndësishëm për çdo demokraci funksionale, të drejtën e një populli për të pasur zgjedhje të lira, e pandashme nga e drejta për transparencën e procesit zgjedhor”, tha ai. Duke vlerësuar apelin e takimit të Luksemburgut, kreu i PS-së nuk ka munguar të shfaqet optimist për rrugën e re që hapet për kauzën e opozitës. Sipas tij, angazhimi i partnerëve europianë në nivele të kësaj natyre është një shenjë e qartë e njohjes së përmasave të krizës shqiptare dhe rrënjëve të saj, që zënë fill te deformimi elektoral i 28 qershorit. Me këtë kartë politike në dorë, Rama ka dhënë garanci për bashkëpunimin opozitar në hartimin e më pas firmosjen e një drafti final që, sipas tij, refuzohet ende nga shumica në pushtet. Mbërritja e situatës deri në pikën kur drejtuesit e diplomacisë europiane prononcohen për zhbllokimin e menjëhershëm të saj, i ka dhënë një shtysë të re apelit publik të Edi Ramës. Ai ka paralajmëruar opinionin për rrezikun që përfaqëson aktualisht Kryeministri Sali Berisha, qëndrimi kokëfortë i të cilit, sipas tij, vë në diskutim edhe liberalizimin e vizave. “Mos i mbaj vizat, daljen nga kriza ekonomike dhe vetë rrugën europiane të integrimit, peng të kutive të korrupsionit elektoral, që veç korrupsionit pjellë e gënjeshtrës së madhe të zgjedhjeve të shkuara, veç gënjeshtra prodhon me sasi përditë e më të mëdha, duke i lënë shqiptarët pa zgjidhje”, u shpreh Rama. Përmes këtij pasazhi lexohet qasja opozitare mbi krizën, që si e këtillë duket të jetë kushtëzuese për të gjitha proceset ku është angazhuar Shqipëria. Nuk mund të mos bjerë në sy se rritja e presionit ndërkombëtar është paraprirë në vendin tonë nga një rindërtim i motos së opozitës, e cila ka qenë e informuar paraprakisht për përshkallëzimin e qëndrimeve të Brukselit. “Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë”, përveçse një devizë në turin e Edi Ramës priret të përshkruajë Kryeministrin Sali Berisha si njeriu–krizë në Shqipëri, fatura e qeverisjes së të cilit, sipas optikës opozitare, është gjithçka që mund të bllokojë integrimin e vendit. Për të lënë mënjanë gatishmërinë opozitare në arritjen e kompromisit, kreu i saj nuk ka bërë të qartë hollësitë e negociatave, edhe pse nuk ka hezituar që të vërë gishtin e akuzës ndaj kundërshtarit të tij për zvarritjen e deritanishme. “E sotmja është koha e një krize që kërcënon ta marrë vendin përpara në humnerën e një inercie të rrezikshme të një politike tërësore të dëmshme, po veçanërisht të një politike ekonomike shkatërruese, e cila e ka burimin tek ethet e pushtetit që qëndron mbi kutitë e mbyllura”, deklaroi Rama. Deri ditën e enjte, kur edhe përfundon afati i negocimit dhe përpunimit të draftit final, mbetet një hapësirë kohore, e cila e sjell opozitën në një stad më të favorshëm diskutimi, për sa kohë që kriza po kërkon një zgjidhje publike. Si e tillë apeli i të gjithëve pret përgjigjen e faktorit kryesor në vend, Kryeministrit Sali Berisha.
#