Rama: “Giro d’Italia”, pas pak finalizohet në Tiranë etapa e parë e këtij evenimenti botëror

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Edicioni i 108-të i Giro d’Italia filloi sot nga Durrësi dhe do të përfundojë pas 21 etapash në Romë, të dielën e 1 qershorit.
Për herë të parë në histori turneu do të zhvillojë tri etapat e para në Shqipëri (9 maj, 10 maj dhe 11 maj) në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Vlorës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga nisja e turneut, ndërsa etapa e parë e tij do të finalizohet pasditen e sotme në Tiranë.
“Giro d’Italia nga Durrësi, për të mbërritur pas pak në Tiranë, ku do të finalizohet etapa e parë e këtij evenimenti botëror, për herë të parë nga Shqipëria”, shkruan Rama krahas pamjeve.
Etapa e parë e këtij turneu nisi në orën 13:10 nga Durrësi drejt kryeqytetit, duke përshkuar 160 kilometra rrugë.
184 çiklistë nisën pedalimin që pritet të përfundojë pak pas orës 17:00 në Tiranë.
Ky event transmetohet në më shumë se 200 vende të botës dhe më shumë se 800 milionë teleshikues do të jenë për tri ditë me sytë nga Shqipëria.
1 nga 38/m.m/r.e/a.f/