E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Gjetëm 4 zona urbane me 24 orë ujë. Në 2030 do jemi 100% të pavarur në prodhimin e energjisë

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me asambletë socialiste të njësive Dajt, Zall-Herr, Zall-Bastar, Shëngjergj, Petrelë, Farkë, Baldushk, Kërrabë, Bërzhitë dhe Lagjja 12 e kryeqytetit.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama u ndal tek furnizimi 24 orë me ujë i konsumatorëve shqiptarë si dhe tek ulja e çmimit të energjisë me 10,5%.

“Në 100 vjet shtet në 10 vite punë 43 zona urbane dhe 98 zona rurale kanë ujë 24 orë dhe puna furnizimin me ujë ujë 24 orë vazhdon”, duke shtuar se “ky është realiteti i punës”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “në Tiranë sot në 67% të territorit të bashkisë së Tiranës, bashkisë së re të Tiranës, nuk flasim për pjesën e  vjetër. Në pjesën tjetër ka 17 orë ujë mesatarisht, por s’ka pasur kurrë. Më herët uji ka qenë me orar në mëngjes, drekë e darkë, kështu që ka qenë gjithë Shqipëria. Nuk ka pasur ujë 24 orë në kohën e komunizmit, është përrallë, ka pasur ujë në zonat urbane, por në fshat harrohet se ka pasur 24 orë ujë”.

“Jo vetëm nuk ka pasur 24 orë ujë, por në shumë zona ka pasur një çezmë të përbashkët për lagjen që shkonin atje të gjithë e mbushnin ujë. Flas për vitet ’80 nuk flas për kohën e luftës. Të ndërtosh një sistem të tërë për ujin është si të ndërtosh një shtet më vete. Po flasim akoma për ujin se ne kemi vetëm një dekadë në qeveri dhe kur ne kemi ardhur në krye të këtij vendi ka pasur vetëm 4 zona urbane me 24 orë ujë. Edhe këtu në Tiranë kur kemi ardhur në qeveri ka qenë vetëm një zonë e vogël urbane me 24 orë ujë. Sot janë 43 zona urbane, pra 4 zona urbane me 24 orë ujë nga të gjitha vitet përfshirë dhe komunizmin përpara që kemi trashëguar”, nënvizoi Rama.

Më tej, kryeministri Rama foli edhe për furnizimin me energji elektrike duke theksuar se “nëse do të bënim mbledhjen këtu do ta bënim me gjenerator, nuk do kishim drita do kishim gjeneratorin që do na mbante iso dhe po të dilnim tek blloku sot në këtë orë vetëm 10 vite përpara do ecnim në trotuar duke fol me gjeneratorët. Në atë kohë 50% e familjeve nuk paguanin sot paguajnë 100%”.

“Ne ulim çmimin energjisë, hera e parë nga 1991 që ulet çmimi i energjisë, nuk rritet. Kemi barazuar çmimin në atë kohë që ishte ulje për një pjesë, por ulje e përgjithshme është hera e parë që bëhet”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ne e ulëm 10,5%. E ulëm sepse kemi ndryshuar komplet qasjen dhe komplet përmbajtjen e gjithë sektorit. 2 milionë shqiptarë konsumatorë, klientë të OSHEE-së paguajnë 10,5% më pak energjinë elektrike sot”.

Rama foli edhe për marrëveshje me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për lidhjen me kabullin nënujor të transmetimit të energjisë.

“Jemi mbi 10% sot të kapacitetit të përgjithshëm me diell, do të shkojmë 30 dhe ajo që patë  me presidentin e Emirateve, ajo vizita i vuri vulën marrëveshjes për lidhjen me kabullin nënujor të transmetimit të energjisë me Italinë. Dhe për një investim masiv të përbashkët të Emirateve dhe të Republikës së Shqipërisë në prodhimin e energjisë diellore këtu në Shqipëri, që ne do të na bëjë në 2030-ën, jo vetëm që të jemi 100 % të pavarur dhe të mos kemi nevojë për asnjëri. Le të plasi luftë, le të bëjë çfarë të dojë i larg qoftë X dhe Y, ne energjinë nuk ia shtrimë më dorë njeriu dhe nuk e blejmë më nga jashtë, sepse do të prodhojmë të gjithën këtu për nevojat tona. Por do kemi energji dhe për t’i shitur tjerëve, falë asaj marrëveshje. Dhe për herë të parë në histori, do të jemi të pavarur në energji”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit.

/k.s/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›