E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rikonstruksioni i rrugës së Komanit, Rama: Aset për veriun dhe aks strategjik për turizmin


TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Në bashkinë e Vaut të Dejës, në Shkodër është hapur kantieri i ri për rikonstruksionin e Rrugës së Komanit, një aks i rëndësishëm prej 31 km që lidh dy hidrocentralet.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga takimi me banorët e kësaj zone, gjatë inspektimit të këtij kantieri pak ditë më parë.

Rama u shpreh se kantieri i Rilindjes së Rrugës së Komanit është një tjetër aset i rilindur për veriun, një tjetër aks strategjik për turizmin.

Në bashkëbisedim me banorët e zonës , kryeministri vlerësoi se rruga do t’i japë edhe më shumë hov turizmit në zonë.

Vetë banorët u shprehën se ndërtimi i rrugës është një çlirim për zonën.

“Na jeni gjetur shumë afër për çështjen e rrugës. E kemi pritur prej shumë vitesh por tani do bëhet, është çlirim i plotë i zonës. I pritëm nga ata që ishin para jush dhe se bënë, na rrejtën dhe se bënë. Hallall jua bëftë Zoti, e premtuat dhe arritët së bashku ta bënit, ju lumtë”, iu drejtuan banorët kryeministrit.

Rama theksoi se e ka ditur kërkesën e banorëve, por duhet durim se jo të gjitha gjërat bëhen njëherësh.

Ndërkohë sipas tij, dallimi mes atyre që premtojnë dhe gënjejnë dhe kësaj qeverie, është pikërisht fakti se kjo qeveri i bën realitet premtimet.

“E di që e keni pritur prej shumë vitesh, por me radhë se edhe ne nuk kemi mundësi t’i bëjmë menjëherë. I ka ardhur radha dhe po e bëjmë. Tani i kemi ndarë punët, ata e kanë me rrena. I kanë ndarë detyrat. Ata kanë detyrë me rrejt dhe kush ta hajë, ta hajë. Ne
çfarë themi e bëjmë. Problemi është se duhet durim se jo të gjitha mund të bëhen njëherësh dhe jo çdo gjë që ti mendon se do ta bësh, bëhet kur ti do ta bësh, se dalin edhe gjëra të tjera por tani kësaj i erdhi radha dhe do ta bëjmë shkëlqyeshëm”, tha Rama.

Kryeministri shkëmbeu batuta edhe me një banor i cili propozoi që të ngrihet një lapidar për të në Koman, pikërisht si lapidari që është ngritur për Presidentin Bill Clinton në Kosovë.

“Do ta lë me shkrim që jo edhe për së vdekmi, jo për së gjalli, se për së gjalli e kam në dorë vetë se është ndërtim pa leje”, iu përgjigj Rama.

/m.m/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›