Rama: Gjyqtarë ose të korruptuar ose injorantë i japin të drejtë zaptuesve të hapësirave publike

Kryeministri Edi Rama ka bërë një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë, duke i cilësuar gjyqtarët që u japin të drejtë bizneseve për të zaptuar hapësirat publike si “ose injorantë ose të korruptuar”.
Gjatë një dëgjese publike në Njësinë 2, Rama u ndal te shqetësimi i qytetarëve për mungesën e kopshteve dhe çerdheve, duke e lidhur këtë problem me vështirësitë që vijnë nga vendimet gjyqësore.
Pengesa kryesore, vendimet e gjyqtarëve
Rama theksoi se sfida kryesore për plotësimin e nevojave për hapësira publike në Tiranë nuk është mungesa e pronës shtetërore, “por e drejta që gjykatat u japin bizneseve për të zhvilluar aktivitetin e tyre në zona të cilat duhet t’i shërbejnë komunitetit.”
“Problemi kryesor është çështja e hapësirave pronë shtet. Hapësirat publike janë, thatë ju por janë private. Këto probleme të trashëguara, sot hasin vështirësi për shkak të injorancës dhe korruptimit të gjykatësve. Njëra nga të dyja ose të dyja së bashku sepse duhet të jesh o injorant ose i korruptuar që t’ia mohosh komuniteteve të drejtën për të pasur hapësirat e tyre,” deklaroi Rama.
Ai pranoi se nuk është normale që kryeministri të tregojë me gisht një gjyqtar, por theksoi rëndësinë e zbardhjes së të vërtetës për qytetarët.
“E vërteta është se ai lokali që zë rrugën, nuk prishet se gjykatësi i ka dhënë të drejtën të rrijë aty dhe të bëjë biznes në kurriz të komunitetit,” shtoi ai.
100 mijë metra katrorë të liruara
Kryeministri dha edhe një shifër konkrete të arritjeve në këtë luftë për hapësirën publike, duke konfirmuar se beteja ligjore po jep rezultate.
“Më vjen mirë që tani gjykatësit janë më të përmbajtur. Dje ishte arritur shifra e 100 mijë metra katrorë të liruara nga zaptuesit, ku po bëhen projekte përkatëse për t’i kthyer në hapësira në dispozicion të komunitetit,” tha Rama.
Ai sqaroi se pavarësisht titullit të pronësisë, hapësira rreth ndërtimeve të reja të banesave i kalon komunitetit, duke shënuar një fitore dhjetëra vjeçare në imponimin e hapësirës publike. Sipas tij, këto sipërfaqe të liruara tashmë do të përdoren për të plotësuar kërkesat e komunitetit, përfshirë ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve.
/rtsh.al/