E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Guna Tactical”, investim me rëndësi në industrinë shqiptare të mbrojtjes

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është kthyer në prioritet për qeverinë shqiptare e cila ka shtuar investimet për rritjen e kapaciteteve prodhuese, modernizimin e teknologjive dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë vendas e ndërkombëtarë.

Në këtë kuadër është krijuar edhe “Guna Tactical”, një ndërmarrje e përbashkët (joint venture) mes ndërmarrjes shtetërore KAYO dhe kompanisë private MSSC.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punës në kompaninë “Guna Tactical”, ku po ndërtohet një nga investimet më të rëndësishme të partneritetit publik-privat në industrinë shqiptare të mbrojtjes.

“Vijon pa ndërprerje puna për funksionalizimin e plotë të kantierit të Guna Tactical, një investim me rëndësi në industrinë shqiptare të mbrojtjes, i cili do të punësojë mbi 1 000 persona duke gjeneruar të ardhura për familjet e tyre dhe duke ndikuar në komunitet çdo ditë”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se në fokus të aktivitetit është projektimi, prodhimi, tregtimi dhe eksporti i uniformave ushtarake dhe aksesorëve, kryesisht për Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të sigurisë, vendet e rajonit dhe aleatë të NATO-s.

Investimi synon të kontribuojë në zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke e pozicionuar Shqipërinë në zinxhirin rajonal të prodhimit të pajisjeve dhe veshjeve për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›