E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Hapja e kutive, fundi i Berishës

Partia Socialiste ka organizuar sot protestën e radhës në qytetin e Lushnjes. Në fjalën e tij kreu i PS-së Edi Rama ka theksuar se pushteti i dalë nga padrejtësia e ka kthyer shtetin në një pushtet të familjes së Berishës dhe jo të shqiptarëve. "Sali Berisha nuk do të hapë kutitë se ato janë fundi i pushtetit të familjes së tij" theksoi Rama. Kreu i opozitës duke iu referuar protestave në Orikum theksoi se kjo tregon që Berisha ka tjetërsuar pronat në favor të tij dhe policia arreston protestuesit që kërkojnë drejtësinë. Sipas tij rrjeta e merimangës së Berishës po gllabëron pronat në Shqipëri në favor të familjes së tij.
Gjithashtu Rama ka ripërsëritur se opozita nuk do të futet në Kuvend për t'u bërë bashkëfajtorë dhe për të mbyllur mundësinë që Shqipëria të këtë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Rama i ka bërë sërish thirrje të gjithë shqiptarëve se në 20 nëntor të mblidhen në Tiranë për të kërkuar me më shumë forcë për një të drejtë që sipas tij nuk ia mohon dot Berisha.
Ndërkohë kreu i PSD-së Skënder Gjinushi ka theksuar se në 28 qershor shqiptarët votuan për ndryshimin e ofruar nga e majta dhe largimin e Berishës prandaj ai duhet të largohet. Më tej Gjinushi theksoi se në zgjedhjet e 28 qershorit u cënua besimi i popullit dhe këtë sipas tij e ka deklaruar edhe raporti i OSBE/ODIHR-it dhe kjo është kritika më e ashpër e bërë nga ndërkombëtarët.
Ndërsa kreu i PLD-së Spartak Ngjela është shprehur se 65 deputetët që kanë marrë këtë nismë do të hyjnë në histori si nisma e parë për të shkallmuar një piramidë të gjatë. "Koha na ka thirrur për të krijuar idenë se nuk jemi numra dhe statistika por njerëz me personalitet" theksoi Ngjela. Gjithashtu Ngjela theksoi se kjo qeveri vodhi votat e shqiptarëve për të mbajtur pushtetin. Sipas Ngjelës Berisha po kërkon të kthehet në një monark dhe se ai kërkon të kthejë pas rrotën e historisë.
"E vetmja gjë që na mbetet është të bashkohemi në datën 20 dhe ëpr ti thënë perëndimit se personaliteti ynë i nëpërkëmbur nuk është ai që ka qënë më parë" theksoi Ngjela.
Pas Tiranës, Shkodrës dhe Beratit, kjo është protesta e katërt që Partia Socialiste organizon për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Protestat organizohen në qytetet ku socialistët pretendojnë se janë shënuar manipulimet më të mëdha. Në fakt, në qarkun e Fierit, ku bën pjesë edhe Lushnja, procesi zgjedhor u shoqërua me shumë probleme, madje PS mori një mandat vetëm pas rinumërimit të disa kutive nga KQZ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›