Rama: Heshtja jonë është keqkuptuar, prokuroria dhe gjykatat speciale me privilegje të jashtëzakonshme

TIRANË, 11 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ajo që u mungon institucioneve të reja të drejtësisë është kritika konstruktive, nxjerrja në pah të të metave”.
“Përballen me ata që mezi kanë pritur ditën për drejtësinë e re, ose sulmet barbare denigruese destruktive të asaj pjese të opinionit të udhëhequr nga armiqtë e Reformës në Drejtësi, nga bufi stërplak i kënetës dhe gjithë kuak-kuak-kuaket që i mbajnë ison”, shtoi Rama në një komunikim live në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se pozicioni i kritikës konstruktive është bosh.
“Asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet por me shumë gjasë në dritën e zhvillimit më të fundit heshtja jonë është keqkuptuar jo vetëm nga armiqtë e reformës në drejtësi apo komentatorët e shumtë që na duan të vdekur, por është keqkuptuar edhe nga disa konsumatorë të reformës, përkundër privilegjeve shumë speciale që u janë dhënë nga reforma, sepse aktorët e sistemit të ri të drejtësisë duke filluar nga prokuroria dhe gjykatat speciale sot kanë privilegje më të jashtëzakonshme se gjithë të tjerët. Flitet për pagat e deputetëve por nuk krahasohen me pagat e tyre”, shtoi Rama.
Natyrisht, vijoi Kryeministri, “nuk ka asnjë makineri institucionale që të jetë perfekte”.
Rama theksoi se nuk ka asnjë organizatë, organizim, institucion apo kompani që të mos ketë probleme.
Nga ana tjetër, kryeministri kujtoi se institucionet e drejtësisë së re janë më të privilegjuarat dhe më të mbështeturat. “Fondet që i janë dhënë këtyre institucioneve, në masën 99.9% janë nga taksat”, tha Rama. /j.p/