Rama: Veliaj akuzohet për shtëpinë e vjehrrit, e blerë kur ai nuk ka pasur asnjë lloj pushteti

TIRANË, 11 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzohet për shtëpinë e vjehrrit të vdekur në Qerret, e cila është blerë kur ai nuk ka pasur asnjë lloj pushteti.
Në një komunikim live në rrjetet sociale, kryeministri iu përgjigj një komentuesi i cili pyet se kush do t’i financojë tani mediet dhe portalet e Erion Veliajt.
“Po të më thoni mua sot nuk ka një medie në gjithë botën mediatike shqiptare që bën papagallin e qeverisë apo të PS-së. Këtu ka një kënetë që ka mediet e veta, që nxjerr nga llumi para për mediet e veta dhe çuditërisht pavarësisht se prej vitesh është ngritur ky problem në rrugën e drejtësisë nuk e sheh askush”, tha Rama.
Rama solli në vëmendje se në akuzën që i bëhet kryetarit të bashkisë flitet për shtëpinë e të vjehrrit, marrë vite e vite më parë në Qerret.
“Akuzohet që meqë janë gjetur aty rrobat e djalit tënd që shkon me gjyshen në plazh është shtëpia jote. Mbase është, do ta shikojmë me prova, por kur shkohet deri këtu, që t’i kërkohet llogari dikujt për vjehrrin e vdekur që u bë posedues i një shtëpie në kohën kur dhëndrri nuk ka pasur asnjë lloj pushteti është vërtetë mbresëlënëse”, tha Rama.
Ndërkohë, sipas tij, “thëngjijtë nga të cilat hidhet balta me tonelata përditë hapen e mbyllen me llumin që e qarkullon dhe e kthen në ar këneta”.
“Prandaj për sa i përket medieve unë mediet në rastin më të mirë i shoh që janë deri diku të balancuara në lajme. Këto sallonet e politikës janë mysybet në tërësi por nuk ka problem sepse nuk e kam pasur kurrë të llogaritur medien si aleat në betejën e popullit. Të thonë çfarë të duan unë personalisht nuk i shoh, marr disa raporte dhe buzëqesh. Tani nuk kam më asnjë fije të zezë në gjithë portretin tim dhe në të gjitha këto fijet e bardha ka histori që janë në arkivin e një kujtese dhe një eksperiencë që më ndihmon të shoh gjithmonë e më larg”, shtoi Rama. /a.g/