Rama: Hyrja në BE siguron barazinë para ligjit dhe lirinë individuale

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Nga Gjirokastra ku prezantoi kandidatët e PS-së për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri, njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama theksoi rëndësinë e votës së qytetarëve për forcën politike që ai drejton, duke e lidhur këtë me integrimin dhe Reformën në Drejtësi.
Rama tha se pa Bashkimin Europian nuk do të ketë asnjëherë siguri se vendi nuk do të kthehet mbrapsht, do të respektohet liria individuale e gjithsecilit dhe garancinë se lufta që PS ka filluar për të vendosur barazinë para ligjit nuk do të kthehet mbrapsht për të rikthyer Drejtësinë aty ku ishte.
“Ne e kemi të thjeshtë shembullin. Ne jemi vendosur me gjithë problemet dhe kostot tona, si forcë politike nga një drejtësi e pavarur që ja kemi dhënë “shpatën” që deri dje e mbante kryetari i qeverisë, apo presidenti i pas rënies së diktaturës që futi në burg kundërshtarin e vet, Fatos Nanon, duke përdorur sistemin e drejtësisë si mashën e vet”, shtoi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se PS dorëzoi “shpatën”.
“Nuk e kontrollojmë më dot Drejtësinë dhe nuk mund të ndryshojmë më rrjedhën e Drejtësisë. Përkundrazi, duam që në atë rrjedhë Drejtësia të forcohet, rritet dhe të bëhet pushteti i pavarur, që të garantojë se gjithë shqiptarët janë të barabartë para ligjit”, deklaroi ai.
Kjo, vijoi ai, konstaton me atë që thotë “këneta”.
“Ai thotë se më 12 maj do shkrijë SPAK-n. Natyrisht më 12 maj, nuk do të mund të shkrijë asgjë”, theksoi Rama.
Por, vuri në dukje ai, Shqipëria është ende një shtet i ri, që nuk i ka traditat e institucioneve si vendet e tjera.
“Ama nëse ne hymë në BE, askush nuk mund të ndryshojë asgjë që prek parimet themelore të asaj familje të madhe, ku liria individuale, barazia para ligjit dhe standardet e bashkëjetesës janë të panegociueshme dhe të paprekshme”, tha Rama.
Prandaj, nënvizoi Rama, nga pikëpamja kombëtare hyrja në BE është rruga për t’i garantuar popullit që fëmijët që lindin në këtë vend janë të barabartë para ligjit dhe se asnjë i fortë nuk mund të shkelë një më të dobët, duke përdorur Drejtësinë dhe liria individuale është e paprekshme nga askush që mund të ketë një pushtet të caktuar.
Rama tha se në aspektin tjetër, hyrja në BE e fuqizon vendin ekonomikisht. Sepse, vijoi Rama, vjen bashkë me një buxhet plus.
“Në 10 vitet e fundit BE e ka mbështetur Shqipërinë me rreth 1 miliard euro. Në momentin që jemi në BE, ajo na jep çdo vit 1 miliard euro. Në gjithë këto vite, BE e ka mbështetur Shqipërinë për bujqësinë, me më pak se 200 milionë euro. Në momentin që bëhemi pjesë e BE-së, ajo na jep 300 milionë euro në vit për bujqësinë“, deklaroi Rama.
/a.f/