E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama – demokratëve: Votoni PS për hyrjen në BE, përfitojnë studentët dhe pensionistët

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ishte sot në një takim me të rinjtë në Gjirokastër, ku prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut në zgjedhjet e 11 majit.

Rama foli për përfitimet që do të kenë të rinjtë kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Duke iu drejtuar prindërve demokratë, Rama tha se edhe nëse nuk e duan PS-në, duhet të bëjnë një llogari që “ne këtu që nuk të pëlqejmë jemi ata që mund ta fusim Shqipërinë në BE dhe askush tjetër nuk e fut dot”.

“Se duhet ta shohëdh nga pozita e interesit tënd si prind për fëmijën tënd që ‘bufi i kënetës’ mund të të bëjë të shpresosh kot se po mundemi ne, po nuk të bën atë që ty të duhet, që fëmijës tënd që sot është 14 vjeç dhe pas 4 vitesh kur të bëhet 18 dhe do të shkojë jashtë për të studiuar ti t’i japësh pasaportën e BE. Dhe duke i dhënë pasaportën e BE, fëmija jot nuk është siç janë sot fëmijët që studiojnë në Evropë, pra nuk trajtohen si studentë të huaj me kuota dhe me tarifa që janë ndryshe, por trajtohet njësoj si studentët evropianë dhe nuk ka absolutisht asnjë dallim dhe i ka të gjitha favoret që i bëhen në Francë francezëve, në Spanjë spanjollëve, në Holandë holandezve, e kështu me radhë”, tha Rama.

“Mund të ketë shumë gjirokastritë që janë në Greqi dhe nuk janë me ne ose janë indiferentë, ose thonë: “Këta janë të gjithë njësoj”. Ne nuk jemi të gjithë njësoj, se po të ishim të gjithë njësoj ne nuk futeshim kurrë në BE. Ne jemi shumë ndryshe pikërisht sepse jemi ne këtu që Shqipërinë do ta fusim në BE dhe janë ata të tjerët që Shqipërinë mund ta fusin vetëm në gropë, siç e kanë futur sa herë që u është dhënë mundësia”, theksoi Rama.

Por, përtej kësaj, shtoi kreu i qeverisë, “ata duhet të mendojnë një gjë shumë të thjeshtë që ankohen vazhdimisht me të drejtë që nuk kanë akoma dokumentet. Një pjesë e tyre nuk kanë dokumente greke. Në momentin që futemi në BE ata marrin pasaportën shqiptare të BE-së dhe që nga ai moment nuk kanë nevojë fare për dokumente greke, sepse mund të rrinë në Athinë me atë pasaportë dhe kanë gjitha liritë dhe të drejtat njësoj si grekët, një për një”.

“Madje, në momentin që marrin pasaportën e BE nuk kemi më nevojë ne të negociojmë me Greqinë as pensionet, sepse çdo vend anëtar i BE të gjithë pensionistët e vet i ka në të njëjtin sistem dhe njohja e pensioneve për punën e bërë në një vend tjetër është automatike. Transferimi i pensionit nga një vend në një vend tjetër është automatik”, tha Rama, duke shtuar se ky është interesi i drejtpërdrejtë, pa lidhje me ngjyrat politike.

“Nuk ka lidhje me çfarë ngjyre ka macja, se unë i them dhe them që sot të gjithë shqiptarët që votojnë në 11 maj nuk duhet të shohin fare çfarë ngjyre kemi ne, duhet të ndjekin atë porosinë e Deng Xiaoping që ndryshoi Kinën kur tha: “Mua nuk më intereson fare se çfarë ngjyre ka macja, mua më intereson që macja të kapë minjtë”, dhe minjtë në këtë vend i kapim vetëm ne. Madje jemi aq të zotë, sa kapim dhe minjtë tanë, jo vetëm të komshiut dhe këtë ne, këta na e këndojmë si një gjë për të cilën ne duhet të ulim kokën”, u shpreh Rama.

“Në fakt, ne duhet ta mbajmë kokën edhe më lart sesa ç’e kemi mbajtur zakonisht edhe për këtë arsye, që për hir të historisë që po shkruajmë së bashku, për hir të Shqipërisë anëtare në Bashkimin Europian, për hir të dhënies të një pasaporte të BE-së në dorën e çdo shqiptari dhe për këta fëmijë është krenari që kjo që bëjmë ne sot, edhe me kostot që kemi, që nesër këto histori të jenë thjeshtë histori, ndërkohë që e përditshmja e këtyre fëmijëve të jetë e përditshme, ku gjithsekush në këtë vend, pavarësisht se si e ka mbiemrin, pavarësisht se sa të ardhura ka në shtëpi familja, pavarësisht se nga e ka prejardhjen, pavarësisht se flet me një dialekt apo me një dialekt tjetër, pavarësisht, pavarësisht, pavarësisht të ndjehet dhe të jetë i garantuar si qytetar i barabartë përpara ligjit dhe të mos ketë asnjë frikë se të drejtën e vet do t’ia marrë dikush tjetër për shkak të mungesës së drejtësisë”, tha Rama.

“Kjo është arsyeja se pse ne luftojmë dhe për këtë unë jam shumë krenar me çfarë po bëhet dhe nga ana tjetër, edhe për këtë ne duhet të jemi shumë të bashkuar që në 11 maj asgjë të mos kthehet mbrapa, por përkundrazi, të gjitha punët të vazhdojnë dhe Shqipëria të shkojë vetëm përpara”, u shpreh Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›