Rama: Integrimin e Shqipërisë në BE nuk mund ta realizojë bufi i kënetës

TIRANË, 29 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Kreta se integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk mund ta bëjë bufi i kënetës me të gjithë lukuninë e zogjve të tij.
Në një takim me shqiptarët në Kretë, Greqi, në kuadër të turit të takimeve me diasporën, Rama kërkoi nga shqiptarët jashtë vendit që të kontribuojnë me votën e tyre për Shqipërinë përtej interesit të tyre të drejtpërdrejtë, për Shqipërinë e integruar plotësisht në BE.
“Besoj se ju e keni të qartë më mirë se sa shumëkush në Shqipëri që këtë gjë nuk mund ta bëjë dikush tjetër. Nuk mund ta bëjnë ata që vijnë këtu tek ju dhe ju premtojnë gjithçka, se as kanë gjë në dorë dhe as kanë për të pasur gjë në dorë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se edhe pse e krahason veten me Athinanë, bufi në Tiranë është buf i dalë nga shprehja e popullit’ ‘çfarë do aty o buf kënete’.
“Këtë gjë nuk mund ta bëjë bufi i kënetës me të gjithë lukuninë e zogjve të tij. Bufi i kënetës që thotë unë jam i mençur dhe i bukur si Athinaja, duke iu referuar bufit të vogël që ishte simboli i grekërve të lashtë dhe pastaj e morën romakët. Por bufi i vogël nuk kishte lidhje me kënetën, ndërkohë që bufi ynë në Tiranë është buf i dalë nga shprehja e popullit:’çfarë do aty o buf kënete'”, tha Rama. /j.p/