Rama: Në 11 maj braktisni kënetën dhe fanellat partiake, votë për Shqipërinë në BE

TIRANË, 29 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste ftoi sot demokratët që për një moment në histori të braktisin kënetën dhe fanellën partiake dhe të vishen të gjithë kuqezi në 11 maj, duke votuar PS-në.
Në një takim me shqiptarët në Kretë, Greqi, në kuadër të turit të takimeve me diasporën, Rama kërkoi votën në 11 maj për të përmbyllur gjithë procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
“Për ne është për herë të parë fati që i buzëqesh Shqipërisë se nuk jemi vetëm ne që si gjithmonë duam të bëhemi pjesë e Europës, por tanimë e kemi bërë Europën të na respektojë e besojë dhe do edhe Europa të na bëjë pjesë të vetën. Mos harroni që ne do të bëjmë të mundur që Shqipëria të bëhet e madhe sa Europa dhe Europa të bëhet vogël sa Shqipëria”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri theksoi se mandati i katërt duhet për përmbylljen e procesit të negociatave brenda vitit 2027, siç është dakordësuar me BE-në.
“E kur ju thotë ndonjëri se unë jam i bindur edhe këtu në Kretë diku nëpër cepat e rrugëve i keni dhe ju ata të kënetës, jam i sigurt, keni dhe ju, ata që notojnë nëpër portalet e kënetës dhe ju thonë, “po mirë çfarë është kjo histori”? Por 12 vjet Edi Rama nuk e futi dot Shqipërinë në Europë, e tani i duhen 4 vjet. Po pse i duhen 4 vjet? Apo për pushtetin e vet? Duhet t’i thoni, Shqipëria ka filluar negociatat vjet dhe ne kemi me BE të dakordësuar marrëveshjen që ti mbyllim brenda 2027 ndërkohë që Mali i Zi, i ka filluar negociatat në 2012 përpara se unë të vija në qeveri bashkë me Partinë Socialiste. Serbia i ka filluar në 2014. Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për në BE në 2005 dhe sot e nisëm duke i parë ata nga mbrapa, tani na shohin ata ne nga mbrapa”, tha Rama.
“Prandaj atyre të kënetës që u dalin nëpër cepa të lagur e të turbulluar, jepuni një peshqir. Thajuani flokët. Jepuni edhe dorën, ngrohjani dhe zemrën dhe thojini ta braktisin bufin, ta braktisin kënetën, ta braktisin për një moment në histori fanellën partiake dhe të vishen të gjithë kuqezi në 11 maj”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se me kënetën PS mund të fitojë edhe pa bërë fushatë fare, por vota në 11 maj duhet për t’i thënë Europës se shqiptarët të gjithë bashkë duan të jenë pjesë e pandarë, e barabartë, dinjitoze, e respektuar e Bashkimit Europian.
Rama solli në vëmendje votimet e vitit 1992, kur edhe pse mund të mos ishin demokratë shqiptarët votuan PD-në, e cila ishte atëherë në kohën dhe vendin e duhur.
“E votuan jo sepse ishin anëtarë apo sepse ju pëlqente bufi kur ishte i ri, por kanë votuar për PD sepse në atë moment në histori ishte forca e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. E njëjta gjë është në 11 maj. Nuk ka nevojë të jesh socialist e të bëhesh socialist për të votuar PS, për të votuar skuadrën tonë dhe për të mos e ndërprerë misionin e përfundimit të negociatave, por përkundrazi, për tu bërë një shumicë më e fortë se asnjëherë, jo thjesht për të na dhënë ne fitoren, se ne për të fituar me kënetën, fitojmë edhe pa bërë fushatë fare, por për t’i dhënë Europës, për t’i thënë 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për t’i thënë këtu edhe qeverisë në Greqi se shqiptarët të gjithë bashkë duan të jenë pjesë e pandarë, e barabartë, dinjitoze, e respektuar e Bashkimit Europian. Rroftë Shqipëria, rroftë Greqia”, mbylli Rama fjalën para shqiptarëve të Kretës. /j.p/