E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Interesa të arsyeshme kreditimi për rritjen e biznesit të vogël e të mesëm

TIRANË, 26 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se programi “Dyfisho ndërmarrjen tënde” do të garantojë interesa të arsyeshme kreditimi për këdo që kërkon të rrisë sipërmarrjen e tij.

Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama informoi se ky program i ri i qeverisë së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë, do të firmoset së shpejti për të nisur rrugëtimin e tij dhe për të pritur në këtë rrugëtim të gjithë ata, të cilët duan të dyfishojnë ndërmarrjen e tyre.

Sipas Ramës, ky është një program i fuqishëm kreditimi me interesa më të arsyeshme sesa ato komerciale të bankave të nivelit të dytë dhe me garanci nga qeveria e Shqipërisë.

“Programi po bëhet më në fund gati për t’i shërbyer të gjithë atyre shqiptarëve që me kurajë, me vullnet, por edhe me largpamësi kanë zgjedhur të hapin rrugën përmes sipërmarrjes; kanë zgjedhur të krijojnë një biznes të vogël i cili tanimë është gati të rritet, por ka nevojë për mbështetjen financiare që përndryshe ata nuk mund ta sigurojnë dot”, shtoi Rama.

Kjo, sipas tij, “është një rrugë e re për të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme dhe një pikë prodhimi që duan ta dyfishojnë dhe ta rrisin”.

“Të gjithë ata që kanë një start-up dhe që duan ta transformojnë në një ndërmarrje prodhuese, fitimprurëse, do të kenë të hapur derën e programit ‘Dyfisho ndërmarrjen tënde'”, shtoi Rama.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›