E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Ishull Lezhë, tani me të gjitha ato që i kanë munguar për shumë vite

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Zona e mbrojtur e Kune-Vainit, në ishull Lezhë është kthyer në një atraksion për turistët vendas e të huaj, falë ndërtimit të infrastrukturës dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike.

Këtë e dëshmojnë edhe bizneset e ngritura në këtë zonë, të cilat shprehen se tashmë zona frekuentohet nga turistë të shumtë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video nga ishulli i Lezhës, duke ftuar vizitorët ta vizitojnë atë.

“Kur nuk ka diell askund, diellin në formën e vet më të bukur femërore e gjen këtu në ishullin e Lezhës. Tani edhe me të gjitha ato që i kanë munguar për shumë vite. Nëse doni diell ku diell s’ka askund, tek Diella, këtu në ishullin fantastik të Lezhës”, tha Rama.

Diella, pronarja e bujtinës “Trëndafili mistik” në një bashkëbisedim me kryeministrin Rama  e falënderoi atë dhe qeverinë shqiptare për ndërtimin e infrastrukturës në këtë zonë turistike.

“25 vjet pa rrugë, 13 pa drita, shumë faleminderit kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare”, tha Diella.

Laguna e Kune-Vainit është rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë atij të Shëngjinit. Ajo është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë. Parku i kësaj lagune cilësohet si një nga më interesantët për shkak të biodiversitetit.

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›