Rama: Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur.
Në fjalën e tij në ceremoninë shtetërore të lamtumirës, Rama u shpreh se, “ndërkohë qysh se lajmi i vdekjes së Ismail Kadaresë mori dhenë në kutinë e mesazheve të shpeshta të ditëve të mia të zakonshme më vinin hera-herës opinione të ngutura nga një ankth i çuditshëm për vendvarrimin e tij”.
“I lexoja dhe më kujtohej Ismaili. përpiqesha të merrja me mend sesi do t’i merrte ai ato propozime të pakërkuara për ta varrosur tek vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbër mbrapa Kryeministrisë, tek varrezat e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë. Nuk e di dot çfarë do të thoshte, po e di njësoj si ai arkëmort ku është shtrirë trupi i tij, se po t’ia kishit treguar dot vigjiljen time të këtij ceremoniali dje në darkë, atje në Durrës tek shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenit, do të argëtohej shumë. E siç thoshte Gabriel Garcia Markez do t’i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet”, u shpreh Rama.
“Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën tim në këtë funeral, duke i qëndruar besnike si në të gjitha herët Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet e sidomos fjalimet, zgjodhi besoj të keqen më të vogël. Një fjalim të pashmangshme të rastit, por të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se e kërkon detyra, por dhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Kështu ky nder kaq i posaçëm përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie mu pranë arkëmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, mu bë dhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, me nderimet, me fjalimet”, tha Rama.
“Sa e mora vesh që vdiq dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes së ceremonialit, bashkë me pamundësinë për ta shmangur dhe unë vetë përfshirjen në këtë tubim, nderim dhe fjalim, më është bërë si një pullë poste që s’më ndahet nga sytë pamja e tij e sëkëlldisur gjatë ceremonisë së gradimit me shkallën më të lartë të Urdhrit të Legjionit të nderit nga vetë Presidenti i Francës në Pallatin e Brigadave”, tha Rama.
“Dhe qysh se filluan të merrnin jetë Komisioni i Posaçëm Shtetëror i ceremonialit funebër dhe paralelisht përplasjet e opinioneve në skenë dhe në prapaskenë për të dhe vendvarrimin e tij u ndjeva personazh i kurthit të fundit letrar të Ismail Kadaresë, një vorbull e hatashme ëndrrash në zhgjëndër me mua vetë si nëpunësin e pallatit të zhgjëndërrt të atyre ëndrrave. Kërkohej një varr. Kush mundej, thoshte të vetën, si në një garë të vetëshpallur ethesh letrare ku ai apo ajo që do të gjente vendin ideal për gropën e trupit të pajetë të autorit të Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur dhe komisionit të festës do të siguronte dhe vendin më pranë tij në botën tjetër”, theksoi Rama.
“I dashur Ismail, nuk ta tregoj dot sa do të doja të ta tregoja ç’më panë sytë e ç’më tha mendja duke u marrë me funeralin tënd, por së paku më duhet të të falenderoj që me këtë novelë të pashkruar, e cila është padiskutim ajo shenja që shkruajte se do të bëje para se të ikje, më dhe edhe përgjigjen që s’ta mora dot në gjallë, kur thoshe nuk shkruaj më dhe nëse të pyesja po pse jo, ma ktheje, “i kam thënë të tëra”.
Nuk bindesha dot, e më dukej mëkat që pena e tij ishte shtrirë e pajetë diku në shtëpinë buzë detit. Por sot jam plotësisht i bindur se Ismail Kadareja i tha vërtetë të tëra ç’kishte për të thënë dhe s’kam asnjë dyshim që ky vend nuk do ta zhgënjejë kurrë në atë bindjen kokëfortë të tij, sepse kurrë ky vend nuk do të rreshtë së përsërituri me vete, mbase në mënyra të reja, por pa thënë asgjë të re, gjithçka Ismail Kadareja tha për të e për kë në të jetoi apo do të jetojë.
Prandaj edhe ndër të tërët them unë, jo më në rolin e pakërkuar të personazhit të novelës së sapojetuar, po thjesht në funksionin e zëdhënësit këtu edhe të qeverisë shqiptare e jo thjesht të dikujt që mendon kështu, Ismail Kadareja e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija.
Jo bashkë me dëshmorët, sepse ai as ishte dëshmor dhe as nuk kishte gjëkundi, në asnjë qelizë të tijën dëshirën apo gatishmërinë për të rënë dëshmor.
Jo bashkë me vëllezërit Frashëri, të cilët ishin ndër fare të paktët që ai i donte dhe respektonte sinqerisht, sepse as nuk ia kanë borxh t’i bëjnë vend në varret e tyre, e as nuk na e kishte Ismaili borxh që t’ia ndalojmë vetminë e tij aq shumë të dashur, vetëm e vetëm sepse nuk na ndalon dot, duke na parë me atë shpotinë e vet për të na thënë atë “jonukduan” e tij proverbiale.
Jo tek parku përballë Rognerit dhe as tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, sepse jo vetëm që një vend i qytetëruar nuk i mban bashkë, në të njëjtat mjedise të hapura urbane, të gjallët me të vdekurit, pa i ndarë së paku me mure të larta apo distanca të mjaftueshme për të mos parë përditë njëri-tjetrin, po edhe sepse kur mendon, që Ismaili i ikte sa mundte vendeve ku qarkullonin e mblidheshin njerëz, kjo do të ishte si t’i imponohej përjetësisht bashkë me vdekjen edhe një dënim fatal i barabartë me jetën në ferr”, tha Rama.