Rama: Jemi autorë të Reformës në Drejtësi, përballë nesh forca që duan të kthejnë përmbys gjithçka

TIRANË, 17 mars /ATSH/Kryeministri dhe njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot një takim në selinë rozë, me kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës, ndërsa shoqërohej nga dy drejtueset e PS për Tiranën, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali.
Kryeministri Rama theksoi edhe njëherë në fjalën e tij, rëndësinë jetike që kanë zgjedhjet e 11 majit për çdo shqiptar dhe shqiptare.
“Këtu ka nevojë që të gjithë ne, në gjithë këtë fushatë, në të gjitha kontaktet t’u flasim njerëzve për rëndësinë e këtij momenti dhe për rëndësinë e ndryshimit të statusit të vendit tonë. Sepse, ndeshen jo rrallë njerëz që e marrin lehtë ose kanë një perceptim të gabuar të futjes në BE, me episode sporadike apo me momente të cilat u kanë mbetur në kokë dhe u duket sikur kjo është diçka me një rëndësi relative. Kjo është me rëndësi jetike për Shqipërinë. Është sepse vetëm duke hyrë në BE, Shqipëria mund të sigurojë një herë e mirë lirinë individuale për çdo individ. Liria individuale e shqiptarëve është e kërcënuar për sa kohë ata janë jashtë BE-së, apo mbetet një çështje e lidhur me faktin se kush qeveris në Shqipëri”, tha Rama.
Kryeministri pohoi se “falë Reformës në Drejtësi, për të cilat PS është sot bartëse e kostove të mëdha me vetëdije të plotë”, procesi i integrimit në BE bëhet i realizueshëm.
“Siç është e kërcënuar barazia para ligjit dhe sot te barazia para ligjit ne e kemi shumë të qartë kërcënimin. Ne jemi autorë të Reformës në Drejtësi, udhëheqës të procesit transformues të këtij procesi dhe në vetë të parët, jemi bartës të kostove më të mëdha të këtij procesi, me vetëdijen e plotë se pa këto kosto ky proces është i parealizueshëm dhe përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani”, tha Rama.
“Pra, barazia para ligjit dhe ndërtimi i institucioneve që fund të ditës bëjnë dallim midis vendeve nuk janë diçka që është e garantuar nëse ne nuk jemi pjesë e BE-së. Vetëm kur të hyjmë në BE nuk do të ketë më rëndësi të madhe se kush qeveris këtu nga pikëpamja e lirive, e barazisë para ligjit dhe nga të gjitha standardet e bashkëjetesës. Prandaj, kjo është themelore. Po kaq konkrete është mundësia që çdo shqiptar dhe shqiptare kudo në botë, të pajiset me pasaportën evropiane të Shqipërisë”, pohoi Kryesocialisti Rama.
Kreu i ekzekutivit u ndal edhe në komentet e ndryshme që vijnë në adresë të tijën në rrjetet sociale, duke pohuar se marrja e pasaportës së BE-së është një moment transformues për këdo.
“Dëgjoja disa që thoshin në ato komentet që më sjellin për të bërë kronikat e mia, se e la Evropën dhe do na japi pasaportën e BE-së. Pasaporta e BE-së nuk e jep qeveria, pasaporta buron nga hyrja në BE dhe ne duhet të bëhemi anëtarë të BE-së që të marrim pasaportën e BE-së. Dhe marrja e pasaportës së BE-së për çdo shqiptar është një moment transformimi i plotë i jetës së tij, familjes së tij dhe perspektivës së fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve të tij”, vijoi Rama.
“Pasaporta e BE-së i jep çdo shqiptari më në fund atë që nuk e ka pasur kurrë, dinjitetin e barabartë me këdo tjetër nën qiellin e përbashkët të Evropës. I jep statusin e barabartë dhe mundësinë që kurrë më të mos shihet si qytetarë i dorës së dytë. Pasaporta e BE-së i jep fëmijëve mundësinë që të studiojnë në çdo vend të BE-së, si shtetas të BE-së dhe jo si studentë të huaj dhe kjo bën dallim të madh në shumë aspekte në jetën universitare.
I jep mundësinë çdo shqiptari dhe shqiptareje që kur të shkojë në aeroport mos të rrijë përballë një polici t’i shpjegojë se ku po shkon, kush e ftojë, sa lekë ka me vete, sa do rrijë dhe kur do ikë. Po të hyjë pa ndaluar asnjë sekondë para policit, thjesht të tregojë pasaportën dhe të qëndrojë dhe punojë sa të dojë, por edhe të jetë nën kujdesin e shërbimit shëndetësor të cilit do vendi ku shkon. Pasaporta e BE-së jep mundësinë që të jenë po aq suedez sa suedezët në Suedi, po aq francez sa francezët në Francë, po aq spanjollë sa spanjollët në Spanjë”, cilësoi Kryeministri.
/a.f/