E Martë, 3 Nëntor 2026

U kap me 2800 euro të falsifikuara, në pranga 20-vjeçari

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Finalizohet operacioni policor i koduar “FALSE”, duke çuar në pranga një 20-vjeçar që u kap me 2800 euro të dyshuara false, si dhe u vendosën në procedim penal dy persona për moskallëzim krimi.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, organizuan dhe finalizuan operacionin pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas që posedonte kartëmonedha të falsifikuara.

Në sheshin “Nënë Tereza”, Policia ndaloi për kontroll një automjet me drejtues shtetasin A. Q. dhe pasagjerë shtetasit D. M. dhe S. Q. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. Q., 20 vjeç, banues në Elbasan, iu gjetën kartëmonedha euro të prerjeve 100 dhe 200, të dyshuara të falsifikuara, me vlerë totale 2800 euro. Paratë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve hetimore, Policia arrestoi në flagrancë 20-vjeçarin S. Q. për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mashtrimi”, mbetur në tentativë. Po ashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit A. Q., 23 vjeç, dhe D. M., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›