E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jemi garantë të mosfutjes së politikës në territorin e drejtësisë

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Gjykata Kushtetuese e la Tiranën pa zgjedhje dhe e la Tiranën pa kryetar bashkie

Në një intervistë televizive, Rama foli për zhvillimet e fundit politike dhe gjendjen brenda mazhorancës.

Duke folur për situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Kryeministri Rama tha se ndjen keqardhje për atë se çfarë po përjeton Veliaj.

“Raporti im njerëzor sot me Erionin është më i fortë sot seç ka qenë, që të jemi të qartë, nga ana ime”, tha Rama.

“Nga ana njerëzore përveç se çfarë ka qenë më parë, është shtuar edhe një keqardhje e thellë për atë që ai po përjeton dhe nuk po hyj këtu të komentoj asgjë më shumë sepse nuk dua të merren më pas fjalët edhe të përdoren apo keqpërdoren si komente që kanë të bëjnë me drejtësinë se nuk dua të hyj në të”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se Veliaj po mbahet peng në qeli.

“Kam një keqardhje shumë të thellë për atë që ai po përjeton dhe për mua padrejtësisht ai po mbahet peng në qeli”,  tha Rama, teksa shtoi se Veliaj fare mirë mund të hetohej në gjendje të lirë dhe mund të vazhdonte të drejtonte Tiranën.

“Në aspektin e përgjegjësisë politike dhe publike që unë kam, ajo që thashë në asamblenë e partisë dhe ajo që ne bëmë është diçka që do ta bëja përsëri nëse do kthehesha mbrapa. Pra, që Erioni të largohej nga ajo detyrë që është në pamundësi për ta kryer, sepse këtë tha edhe Gjykata Kushtetuese dhe që Tirana të mos mbetet pa kokë, shumë e thjeshtë. Tani të gjitha të tjerat janë dokrra, janë teori, muhabete të klubeve mediatike të klubeve politike që mua realisht nuk më interesojnë fare dhe as nuk i marr përsipër që t’i komentoj”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se, “është gjëja më e padrejtë që i bëhet Tiranës, që nga një anë i merret peng njeriu që ka zgjedhur nga ana tjetër i merret peng e drejta për të zgjedhur dikë tjetër në kushtet që njeriu që kanë zgjedhur mbahet në paraburgim nga drejtësia, pra nga një pushtet i pavarur që ka të drejtën e vet të bëjë atë që mendon dhe që pavarësisht se çfarë mund të mendoj unë ose çfarë mund të mendojmë ne s’ka pikë rëndësie për sa i takon asaj që mendon dhe që bën drejtësia. Se këtë kemi vendosur, kemi vendosur t’i japim pavarësinë dhe mos ta vëmë më në diskutim faktin që është një pushtet i pavarur dhe pikë!”.

Por nga ana tjetër, shtoi Rama, “nevoja e qytetit është gjithmonë e më alarmante kjo është një gjë që shihet, që kuptohet nuk mund të drejtohet me delegim ose me telekomandë, sepse bëhet fjalë për një qytet një milionë njerëz që hyjnë dhe që qarkullojnë gjatë ditës”.

Rama gjithashtu theksoi se lajmi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është se nuk e kontrollon mazhoranca.

“Lajmi aty në fakt për mua do duhet të ishte që nuk e kontrollokemi ne, nuk e paskam kapur unë Gjykatën Kushtetuese, se nuk është hera e parë në fakt që vendos ndryshe nga vullneti im dhe i qeverisë po në këtë rast ishte si të thuash një ‘karshillëk’ i drejtpërdrejtë, por është Gjykata Kushtetuese, është e drejta e Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimet që i takojnë asaj t’i marrë dhe tani nëse kjo gjykatë kushtetuese do të jetë koherente me këtë vendim do të duhet që, kur kryetari i bashkisë të shkojë aty për të kërkuar të lirohet dhe të vazhdojë në gjendje të lirë procesin kushtetuesja duhet ta lirojë sepse ndryshe bie në kontradikt të thellë me vetveten. Këtë them unë”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se, “Gjykata Kushtetuese e la Tiranën pa zgjedhje dhe e la Tiranën pa kryetar bashkie. Ose më saktë konsideroi kryetar bashkie atë që është në pamundësi për të bërë detyrën kështu që po Gjykata Kushtetuese duhet të bëjë hapin e dytë që t’i japë mundësinë të bëjë detyrën”.

Në përgjigje të pyetjes lidhur me hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Balluku, Rama u shpreh se nuk ka koment.

“Çfarë komenti të bëj? Si tha Loro Boriçi shiu ka punën e vet ne kemi punën tonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, SPAK ka punën e tij, qeveria të vetën.

“Duhet të mësohemi me këtë, që jetojmë në një sistem ku Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër, që të jemi shumë të qartë për këtë, me mua në krye, i kemi njohur pavarësinë e plotë drejtësisë. Dhe njësoj siç janë tërhequr fuqitë koloniale nga territoret e kolonizuara, kemi tërhequr politikën nga territori i drejtësisë. E kemi tërhequr. Dhe jemi të vetmit garant për mosfutjen përsëri të politikës në territorin e drejtësisë”, tha Balluku.

Rama u shpreh 100% i sigurt për këtë, teksa shtoi se opozita përbetohej se kur të fitonte zgjedhjet do ta shkrinte SPAK-un

“Jam 100% i sigurt sepse të tjerët përbetoheshin që do ta shkrijnë SPAK-un të nesërmen kur të fitonin zgjedhjet”, tha Rama.0

Duke folur për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Nano, Rama u shpreh se, “ishte edhe disi e neveritshme të shikoje që ata të cilët e torturuan e burgosën e përndoqën me fjalët më të egra të shqipes për vite të tëra, pa pritur e pakujtuar e mirëtrajtuan dhe i dhanë atë që, uroj më në fund ta besojnë, por nëse e besojnë duhet t’i kërkonin falje dhe të bënin një shfaqje pendese publike për çfarë i kanë bërë në të gjallë”.

Rama e cilësoi Nanon “babain e tij politik”, ndërsa pranoi se ende “nuk e ka një bir politik që ta zëvendësojë”.  /gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›