E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Jemi pro armëpushimit në Gaza dhe lirimit të të gjitha pengjeve

TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga New York se “ajo çfarë po ndodh në territoret ku jetojnë populli i Izraelit dhe populli i Palestinës është diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur”.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në eventin e organizuar nga organizatat hebreje të titulluar “Bridging Nations: A Tribute to Prime Minister Edi Rama at the UN General Assembly”, dedikuar Shqipërisë dhe rolit kryesor të Kryeministrit Edi Rama në promovimin e unitetit midis vendeve të Ballkanit dhe përpjekjet e tij të përkushtuara në mbrojtjen e të drejtave dhe historive të komuniteteve pakicë, përfshirë hebrenjtë.

Rama tha se është plotësisht i ndërgjegjshëm për “elefantin” në këtë dhomë, pasi nuk është e lehtë të zhvillosh një takim të tillë në sfondin e dhimbjes dhe vuajtjes së pamasë që sulmi vrasës masiv i 7 tetorit i solli popullit të Izraelit, por edhe dhimbjen e vuajtjen e pamasë që lufta në Gaza po iu shkakton shumë palestinezëve të pafajshëm.

“E di, do të qe shumë e lehtë ta linim mënjanë elefantin dhe pastaj të përpiqeshim të qëmtonim e nxirrnim nga ky sfond një mendim të vërtetë që i jep Çezarit ç’i takon Çezarit e i jep Zotit çfarë i takon Zotit, pa lënduar ndjenjat e askujt. Megjithatë, më lini të citoj edhe njëherë Rabinin Sacks: “Terrori dështon dhe do të dështojë përherë, sepse ngjall te ne thellë instinktin e jetës”. Ndërkohë që bota mund të jetë e ndarë për mënyrën sesi dilet nga kjo luftë shkatërruese pa dëshmuar klithmat e përditshme të dhimbjes së të pafajshmëve në Gaza, është thjesht një marrëzi e cila mund të sjellë pasoja shkatërruese për të gjithë ne që të mos jemi të bashkuar për ta përkufizuar me vendosmëri terrorin si armikun e përbashkët”, theksoi Rama.

Rama theksoi se “të kërkosh një përgjigje proporcionale kundër terrorit është jo vetëm kërkesë për diçka jorealiste, por edhe që të bashkëjetosh me terrorin, duke njohur terroristët si homologë legjitimë që duhen zbutur, jo si armiq të përbashkët që duhen mposhtur”.

“Ka një histori në librat e shenjtë: Njëherë, një luaneshë doli shëtitje me këlyshët e saj për t’i udhëzuar për faktet e jetës së luanëve. Nëna tha: “Ne, luanët, jemi mbretërit e botës së kafshëve dhe mund të mposhtim çdo krijesë tjetër. Edhe qeniet njerëzore janë në mëshirën tonë. Kurrë nuk duhet të keni frikë askënd”. Ndërsa vazhdonin të shëtitnin, kaluan bri një monumenti që shfaqte Samsonin i cili shqyente një luan. “Nënë, – i beh këlyshi i tronditur, – a nuk më the që ne mund të vëmë poshtë edhe njerëzit dhe që nuk duhet të kemi frikë kurrë?” “Po”, ia priti ajo, – dhe monumenti e provon këtë gjë. Nëse kjo do të ndodhte rëndom, nuk do t’i kishin ngritur monument!” Terroristët kanë monumentet e tyre. 11 shtatori, 7 tetori, por nuk duhet të kenë kurrë fitore kundër njerëzimit tonë të përbashkët”, shtoi ai.

“Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote. Pra, ajo që u duhet thënë shumë prej atyre që e quajnë Gazën burg në ajër të pastër është se gardiani i të burgosurve brenda atij burgu është Hamasi, jo Izraeli”, vijoi kryeministri.

Kryeministri theksoi se “jemi mjaft të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku jetojnë populli i Izraelit dhe populli i Palestinës është diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Nëse Hamasi do të ishte një forcë e zgjedhur e cila, në vend të kërkonte shkatërrimin e Izraelit me mbështetjen e Iranit, do të kërkonte lirinë dhe prosperitetin e popullit të tij përmes rendit demokratik, do të isha i pari që do të thoja se Izraeli është gabim dhe duhet të ndalet e të trajtohet si agresor kundër një fqinji që kërkon paqe. Por edhe pse vuaj si çdo qenie tjetër njerëzore dëshmitare e asaj çfarë po ndodh në Gaza, e kam të pamundur t’i jap edhe fijen e mundësisë për t’i besuar Hamasit, që është xhelati i përditshëm i popullit të vet qysh prej shumë viteve në pushtet, në luftën kundër të cilit, sinqerisht, nuk gjej asgjë fisnike më shumë sesa gjej në luftën e ISIS-it apo të nazizmit kundër njerëzimit. Për fat të keq, asnjë nuk ka shpikur ende një metodë mposhtjeje të dhunës për vetëmbrojtje pa forcë dhe, sërish, ne, sigurisht, jemi mjaft të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku jetojnë populli i Izraelit dhe populli i Palestinës është diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi ai.

Rama theksoi faktin se “Shqipëria ka votuar më shumë se njëherë në Kombet e Bashkuara pro armëpushimit të menjëhershëm, por, ndërkohë, nuk kemi dyshuar kurrë që një armëpushim i cili nuk përfshin lirimin e të gjitha pengjeve nuk është veçse inkurajim për Hamasin”.

Po kështu, Kryeministri theksoi se “ne kemi përkrahur prej një kohe të gjatë dhe përkrahim vendosmërisht zgjidhjen me dy shtete si e vetmja rrugë përpara drejt një paqeje afatgjatë, por, për ne, kjo do të thotë që Hamasi duhet të dalë jashtë loje dhe të ketë një përfaqësim të besueshëm politik të mbështetur nga të gjitha vendet arabe për palën palestineze”.

“Nga ana tjetër, jam krejt i vetëdijshëm se gjithë fjalët që themi janë ende më të lehta sesa veprat, pasi nuk ka dyshim se të luftosh terrorizmin në front është shumë më e vështirë sesa t’u bësh leksione luftëtarëve nga larg, ndërkohë që pengjet e pafajshme në duart e xhelatëve nuk janë njerëzit tuaj, por qytetarët e një vendi të cilit historia i ka mësuar në mënyrën më të egër se kur armiku merr jetën e një njeriu të vetëm për shkak të kombësisë, jeta e gjithë kombit është në rrezik”, tha Rama.

Në këtë luftë të përbashkët kundër terrorizmit, antisemitizmit dhe radikalizmit, Kryeministri theksoi se “Shqipëria qëndron e vendosur krah gjithë atyre që nuk janë gati të harrojnë mësimet e rënda të historisë dhe as të jetojnë nga e para një të kaluar që i ka kushtuar dhimbjet më të tmerrshme njerëzimit”.

Nga ana tjetër Rama tha se Shqipëria i mësoi botës se ishte veç nder të ishe mysliman e të strehoje në shtëpi hebrenjtë.

“Të parët tanë na mësuan vlerën e të qëndruarit krah hebrenjve duke vënë jetët e tyre në rrezik për t’i mbrojtur nga kasapët e Luftës së Dytë Botërore dhe, po ashtu, i mësuan botës se ishte veç nder të ishe mysliman e të strehoje në shtëpi hebrenjtë, të ishe i krishterë e të bëje të njëjtën gjë, të ishte thjesht njeri kur të tjerë njerëz në rrezik kishin nevojë për ndihmën tënde. Me çfarëdo çmimi. Me të njëjtën frymë iu dhamë strehë mijëra refugjatëve iranianë, jeta e të cilëve rrezikohej çdo ditë në Kampin “Liria” në Irak, ku plaçkiteshin e vriteshin nga vrasësit e Teheranit. Vende më të mëdha e më të forta europiane nuk deshën t’i ndihmonim dhe ne e paguam shtrenjtë mikpritjen për ta, pasi regjimi totalitar i Teheranit u angazhua për të kryer një sulm kibernetik masiv kundër Shqipërisë, që synonte të zhdukte gjithë infrastrukturën tonë digjitale të shërbimeve publike. Po ne nuk hoqëm dorë dhe nuk do të heqim dorë nga zotimi për t’i strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse mikpritja jonë nuk ishte dhe as është e lidhur me ndonjë qëndrim politik kundër Iranit, por vetëm me bindjen humanitare gdhendur në shpirtin tonë si komb”, shtoi ai.

Rama kujtoi se Shqipëria u detyrua t’i përgjigjej sulmit brutal të regjimit iranian duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike dhe duke përjashtuar personelin e tij diplomatik nga vendi ynë.

“Por e përsëris se iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet të ndajë mendjen se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, po aq inkurajojmë miqtë e strehuar të mos angazhohen në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë”, tha ai.

Kryeministri u ndal po ashtu edhe te fakti se Shqipëria u hapi dyert mijëra afganëve, jetët e të cilëve u gjendën të rrezikuara befas nga rënia e Kabulit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›