E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jetik, investimi i sipërmarrjes në kapitalin njerëzor

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot rëndësinë e investimit të sipërmarrjes te burimet njerëzore, ndërsa u ndal edhe te lehtësitë që janë krijuar për tërheqjen e punëtorëve të huaj.

Në një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, Rama u shpreh se ata duhet të jenë shumë të vetëdijshëm për faktin se sa themelor dhe jetik është kapitali njerëzor.

“Aty mos kurseni. Më mirë një suva më pak, sesa ajo që fiton, duke mos i dhënë atyre atë pagën që ta bëjë të ndihen të rëndësishëm”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se qeveria ka bërë një lehtësim shumë të madh javët e fundit për të marrë punëtorët nga jashtë.

“Duhet ta shikoni atë. E kemi lehtësuar komplet, e kemi bërë domethënë që për pesë ditë juve merrni punëtorët, i merrni vetëm me vetëdeklarim. I merrni me vetëdeklarim edhe pastaj ata vijnë, marrin lejen e punës dhe pastaj bëhen ato gjërat e thjeshta, për dokumentacionin etj”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se në këtë drejtim mund të vendosen kontakte bashkëpunimi me sipërmarrje të vendeve të Gjirit.

“E bëjnë shumë në vendet e Gjirit ku në kohën ku ka shumë punëtori të kualifikuar, ka dhe shumë shqiptarë që punojnë atje. Në kohën e verës kur ne kemi bumin e turizmit, ata nuk kanë njeri atje. Kështu që, shikoni dhe mundësinë që të bëni marrëveshje dhe kështu ndani dhe kostot me një restorant atje, një klub atje. Nuk flas për hotelet e mëdha, flas për këto të voglat që kanë kamerierë, kanë kuzhinierë edhe që praktikisht ata i paguajnë dhe ata rrinë kot se në kohën e verës atje s’shkon njeri, është temperatura shumë e lartë”, u shpreh Rama.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›