E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: “Parku i besimit”, magnet për tërheqjen e turistëve në Tiranë

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se “Parku i Besimit” do të jetë një magnet i madh për tërheqjen e turistëve në zonën e Petrelës në Tiranë.

Në një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, Rama u ndal te ky projekt, që sipas tij do të fillojë të realizohet hap pas hapi.

“Ai do jetë patjetër një magnet i madh për zonën e Petrelës, nuk diskutohet, por dhe për Tiranën në përgjithësi do jetë një magnet shumë i fortë.  Do kërkojë kohën e vet se është shumë i lidhur me bimësinë, me pemët, me të gjitha që duan dhe kohën e vet që të rritet, por jam dakord që do jetë shumë tërheqës”, theksoi kryeministri.

Ndërkohë duke iu referuar statistikave të numrit të turistëve për muajin mars, Rama tha se “në krahasim me marsin e vitit kaluar rritja është shumë e fortë”.

“Ajo që ka ndodhur në vendet e Gjirit, që ka ndodhur me Turqinë po ashtu, që ka ndodhur me Qipron, të gjitha ato vende do kenë rënie dhe ne duhet ta marrim një pjesë sado të vogël të asaj që bie andej dhe do vijë këtu”, tha Rama, duke iu referuar turistëve të huaj.

Parku i Besimit është një projekt vizionar që synon të kthejë harmoninë ndërfetare në Shqipëri, në një eksperiencë të prekshme, përmes natyrës.

Ky park prej 120 mijë metrash katrorë është ideuar të ketë disa hapësira që do të përfaqësojnë besimet fetare të shqiptarëve, ku çdo fe do të ketë rrugën e saj, me elementë sipas shkrimeve të shenjta të çdo besimi, duke nisur që nga objektet e kultit, deri te bimët, që përmenden në librat e shenjtë. Parku i Besimit do të ndërtohet në kodrat e Petrelës, në një zonë që dikur shërbente si kazermë ushtarake.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›