E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Jo më leje ndërtimi për resorte e pallate, nëse nuk bëjnë hapësira për fëmijë

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të ndërtohen një sërë programesh për angazhimin e fëmijëve dhe krijimin e mjediseve të pështatshme për ta, ndërsa theksoi se vitin që vjen, shahu do të shtohet si disiplinë në shkolla.

Gjatë një takimi me prindër dhe mësues, për të shpalosur planin e veprimit për të rritur sigurinë në shkolla, Rama theksoi se “Programi i fermës në shkollë” do të financohet nga qeveria dhe do të zbatohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ajo e Arsimit.

“Do të bëhet një organizim i prodhimit dhe shitjes së atyre produkteve që fëmijët të kuptojnë që domatja nuk prodhohet në TikTok dhe që marrëdhëniet nuk janë ato të TikTok, por të jetës reale”, tha Rama, sepse, vuri në dukje ai, është shumë e rëndësishme që fëmijët t’i lidhim me jetën reale.

Kryeministri foli për angazhim serioz sa u përket aktiviteteve sportive.

“Do të fusim shahun në shkollë dhe disiplina të tjera. Do të krijojmë mundësinë që brenda një trevjeçari çdo fëmijë të ketë mundësi ta bëjë një zgjedhje dhe pastaj ta çojmë sportin si një disiplinë e detyruar për çdo fëmijë”, deklaroi Rama.

Rama më tej u ndal dhe në politikat që po zbatohen për krijimin e më shumë terreneve sportive për fëmijë.

“Ku t’i bënim ne aktivitetet sportive 10 vite më parë, në cilat palestra, në cilat fusha? Sot, prej vitesh nuk kalon një leje ndërtimi për shkollë, nëse nuk ka palestra projekti, ashtu sikundër së fundmi, kemi vënë dhe rregullin që për ata që ndërtojnë resorte apo pallate, të mos jepet leje nëse aty nuk do të ketë të përfshirë dhe një hapësirë për fëmijët”, u shpreh ai.

Kryeministri shpjegoi se po ashtu brenda taksës së strehimit social, tashmë ndërtuesit do të çojnë një pjesë të fondit për ndërtimin e një çerdheje, kopshti apo shkolle.

Duke e lidhur me ngjarjen e 18 nëntorit, ku pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, pas një konflikti me një bashkëmoshatar të tij, Rama tha se detyra e e qeverisë nuk është të shmangë dhe të bëjë të pamundur çdo të keqe që ndodh, sepse këtë nuk e ka bërë, as nuk ka për ta bërë dot asnjë shtet.

“Të këqijat fatkeqësisht ndodhin, detyra jonë është që nga çdo e keqe që ndodh ne të punojmë që mundësitë që ajo të ndodhë përsëri të zvogëlohen”, tha ai.

/r.e/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›