Rama: Ju kam degjuar 4 muaj të më ofendoni pa thënë asgjë konkrete, e doni dialogun por keni frikë se cilësoheni tradhtarë! Së shpejti masa të reja mbi meritokracinë dhe sigurine!

Qeveria do të paraqesë së shpejti paketa masash lidhur me kërkesat për meritokraci, por edhe për sigurinë. Kryeministri Edi Rama thotë se i ka dëgjuar për 4 muaj pretendimet e protestuesve dhe dialogu është e vetmja rrugë. Ai tha se e di që e dëshirojnë, por kanë frikë nga etiketimet mes njëri-tjetrit.
“Në anën e asaj pjese pa diskutim të respektueshme dhe të respektuar të shoqërisë që kërkon më shumë mbështetje, meritë, në shkallën e promovimit të aftësive, kërkon më shumë mundësi për t’u strehuar pa iu marrë krejt fryma nga kostoja e strehimit në Tiranë, rishpërndarje dhe barazi sociale, ne jemi absolutisht të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije cilat do të jenë masat që do të marrim. Në anën e sigurisë, në bashkëpunim me partnerët tanë, do të dalim shumë shpejt me propozime e masa shumë konkrete. Kush thotë se deri më sot paskam dhe paskemi qenë indiferentë, harrojnë që për 4 muaj unë kam dëgjuar më shumë se çdokush tjetër sepse unë kam qenë lart në zyrë, ata duke sharë e ofenduar poshtë zyrës, pa thënë asgjë konkrete. Unë nuk kam ndërmend të tregoj komunikime me mesazhe me ata që ishin poshtë dhe e kanë dashur dialogun, por i ka mbajtur frika ndaj njëri-tjetrit se cilësohen si tradhtarë. Ka pasur edhe një komponent kriminelësh që kanë qenë të pranishëm që kanë bërë të tyren”, tha Rama.