Rama: Kantina “Arbëri” prej 25 vitesh përfaqëson verën shqiptare në tregje ndërkombëtare

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Kantina e verës “Arbëri” një sipërmarrje e familjes Kaçorri në zonën e Mirditës, prej vitesh njihet për prodhimin e verës autoktone.
Vera e kësaj kantine ka marrë jehonë tashmë edhe nga mediat prestigjioze të huaja, të cilat e kanë vlerësuar kantinën “Arbëri” me pikët më të larta të cilësisë duke i dhënë emër në botë jo vetëm kësaj sipërmarrje shqiptare, por edhe Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kantina “Arbëri”, ku prej 25 vitesh familja Kaçorri kontribuon në sektorin e bujqësisë dhe përfaqëson verën shqiptare në tregje dhe evente ndërkombëtare.
“E mbështetur nga AZHBR përmes Skemës Kombëtare, investimi ka përfshirë ndërtimin e agroturizmit, ambienteve të grumbullimit dhe ruajtjes së verës, si dhe krijimin e ambienteve të degustimit. Ndërsa përmes programit IPARD është financuar zgjerimi i vreshtave dhe investimi në mekanikë bujqësore duke forcuar bazën e prodhimit”, theksoi Rama.
Rama u shpreh se “e frymëzuar nga tradita e kullave të Mirditës, ku miku ka gjetur gjithmonë besë, bukë, kripë e zemër, në agroturizmin “Arbëri” vizitorët gjejnë edhe “Bukë e Venë””.
Vreshtat e ndërtuara në zonën e Bukëmirës, Mirditë janë ndër të parat plantacione të ndërtuara me standarde europiane, nën ekspertizën e ekspertëve të huaj duke kultivuar varietete autoktone shqiptare si “Kallmeti” dhe “Sheshi i Bardhë”.
Qeveria shqiptare me linjën e financimit të kredisë së butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxit investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale. /j.p/