Tatimet: Subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar online, detyrim të regjistrohen

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë personave fizikë, individëve tregtarë, të vetëpunësuarve dhe entiteteve që ushtrojnë aktivitet ekonomik dhe tregtar nëpërmjet internetit, që të përmbushin detyrimet e regjistrimit dhe publikimit të të dhënave të kërkuara nga ligji.
Sipas DPT-së, ata janë të detyruar, njësoj si çdo subjekt tjetër tregtar, të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit përpara fillimit të ushtrimit të aktivitetit të tyre në internet.
Në përputhje me ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të gjithë këta subjekte kanë detyrimin ligjor që të publikojnë në faqen e tyre të internetit disa të dhëna të rëndësishme. Këto përfshijnë numrin e NIPT-it, emrin e subjektit tregtar, adresën e selisë dhe numrin e telefonit. Publikimi i këtyre të dhënave është një kërkesë e domosdoshme dhe që ka për qëllim garantimin e transparencës dhe identifikueshmërisë për çdo aktivitet tregtar që zhvillohet online.
Administrata Tatimore thekson se për çdo rast kur identifikohen subjekte që ushtrojnë aktivitet tregtar online pa plotësuar këto kërkesa ligjore, do të kërkohet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bllokimi përkohëshem i faqes së internetit përmes së cilës ushtrohet ky aktivitet.
Ky veprim është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe është një masë që synon luftimin e informalitetit, për të siguruar që çdo subjekt që operon në treg të jetë i regjistruar dhe të përmbushë të gjitha detyrimet tatimore dhe ligjore.
Për të rritur efikasitetin në luftën kundër informalitetit dhe për të forcuar bashkëpunimin, Administrata Tatimore informoi se ka rritur shkëmbimin e informacionit me AKEP, një hap që do të mundësojë monitorimin dhe vënien nën kontroll të aktiviteteve tregtare online që nuk i përmbushin kërkesat e ligjit.
Sipas DPT-së, ky bashkëpunim është i domosdoshëm për të siguruar një mjedis të drejtpërdrejtë dhe të rregulluar të tregtisë në internet, duke shmangur kështu rrezikun e operacioneve që mund të ndikojnë negativisht në ekonominë formale dhe të kontribuojnë në informalitetin.
Administrata Tatimore kërkon nga të gjithë personat që ushtrojnë apo kanë për qëllim të ushtrojnë aktivitet tregtar online të përmbushin detyrimet ligjore dhe të regjistrohen në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ata gjithashtu duhet të shlyejnë detyrimet tatimore përkatëse, për të siguruar se veprimtaria e tyre është e rregulluar dhe në përputhje me normat ligjore.
Në rast se këto detyrime nuk përmbushen, Administrata Tatimore thekson se do të aplikojë masat administrative, të cilat parashikohen nga legjislacioni përkatës, për të siguruar respektimin e rregullave të përcaktuara. /j.p/