E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kapitujt mbyllen në 2027. Ambasada Gjermane: Mbështesim integrimin e Shqipërisë, vijoni me reformat

Pas mbylljes së 3 kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian, Kryeministri Edi Rama së bashku me delegacionin shqiptar në Bruksel, ironizuan kundërshtarët politikë, të cilët pretendonin se anëtarësimi i vendit po çalonte.

“Po si thanë, iku kjo punë. Vate kjo punë. Nuk ka më negociata. Por në fakt jo vetëm ka negociata, por u mbyllën 3 kapijt e parë, pra filloinumërimi mbrapsht, mbyllja e kapitujve. Dhe ne, duan s’duan ata që s’duan, do t’i mbyllim të gjithë kapitujt deri në 2027”, tha Rama.

Megjithatë, përtej skepticizmit të opozitës dhe situatës politike në Tiranë, ndërkombëtarët kanë një qëndrim plotësisht mbështetës për integrimin.

Në një deklaratë, ambasada gjermane e cilësoi këtë periudhë të Shqipërisë, si një moment historik.

Ambasada Gjermane: Mirëpresim Konferencën e nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30 – kapitujt e parë që u mbyllën në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Kjo tregon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në fushat kryesore të politikave të BE-së, për të thelluar bashkëpunimin në kërkim shkencor dhe inovacion, për të promovuar marrëdhënie më të ngushta arsimore dhe kulturore dhe për të kontribuar në forcimin e sigurisë ekonomike të BE-së.

Megjithatë, ambasada gjermane përsërit kërkesën për vijimin e reformave.

Ambasada Gjermane: Ne vlerësojmë përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të arritur këtë moment historik dhe i inkurajojmë ato të ruajnë këtë dinamikë pozitive gjatë punës së mëtejshme për kapitujt e mbetur. Kemi besimin se Shqipëria do të ndërtojë mbi këtë progres, do të vazhdojë kursin e saj të reformave me të njëjtën vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme – edhe në fushën e Themeloreve.

Në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, zyrtarët europianë vlerësuan ritmin e reformave,ndërsa theksuan se ka ende punë për të arritur vijën e finishit, atë të anëtarësimit me të drejta të plota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›