Rama: Kemi murin mbrojtës më të mirë kibernetik mes vendeve të NATO-s. Jemi përballur me 48 sulme gjatë vitit të fundit, por pa pasoja

Kryeministri Edi Rama ka theksuar rolin udhëheqës të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike, gjatë Konferencës për Mbrojtjen Kibernetike që po zhvillohet në Tiranë. Në fjalën e tij, ai nënvizoi se vendi ynë është ndër të parët që ka integruar inteligjencën artificiale në sistemet mbrojtëse dhe se përballon mesatarisht një sulm kibernetik çdo tre minuta.
Sipas kryeministrit, Shqipëria është përballur me 48 sulme kibernetike me ndikim gjatë vitit të fundit, por asnjë prej tyre nuk ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.
“Kur bëhet fjalë për hapësirën kibernetike, investimi, ndërmarrja e një mori përpjekjesh për të parandaluar të ndodhin gjëra të tmerrshme. Ne e dimë si ndihesh kur kjo ndodh, ne na u desh të përballemi dhe e pamë veten në mes të një sulmi kibernetik mjaft të keq e të gjerë që synoi infrastrukturën tonë digjitale që është krenaria jonë. U bëmë nga të parat vende që i sollëm 95% të shërbimeve në xhepat e qytetarëve, ku mbajnë telefonat celularë. Ky ishte synimi, një investim i jashtëzakonshëm për burimet tona të kufizuara dhe gjithë ajo kohë e shpenzuar për të bërë këtë mund të ikte në tym si pa të keq.
I mbijetuam kësaj dhe jam krenar të them se kemi një prej mureve mbrojtëse më të mira kibernetike mes vende të NATO-s. Nuk është vizionare, është diçka që lind nga nevoja e mbijetesës. Sot përballemi mesatarisht me një sulm kibernetik çdo 3 minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim dhe kur bëhet fjalë për sulme që lënë gjurmë, kemi patur 48 të tilla gjatë gjithë vitit të fundit. 48, kanë lënë gjurmë, por nuk kanë bërë asnjë dëm të konsiderueshëm. Kemi qenë ndër të parët që kombinuam mbrojtjen kibernetike me inteligjencën artificiale dhe është inteligjenca artificiale brenda murit tonë kibernetik që bën punën për të zbuluar në faza shumë të hershme potencialin e sulmeve”, tha ai.
Rama apeloi për më shumë bashkëpunim mes vendeve të NATO-s, duke theksuar se fragmentarizimi është një dobësi në përballjen me kërcënimet kibernetike. Ai vlerësoi nismën e NATO-s për krijimin e një qendre të përbashkët për menaxhimin e incidenteve kibernetike, ku Shqipëria është ndër vendet e para pjesëmarrëse.
“Pika e fundit që dua të përmend, ndryshe nga forca të tjera në hapësirën tonë të bashkëjetesës në këtë planet, ne jemi të mëdhenj, por jemi të vegjël. Flas për ne NATO-n, jemi të mëdhenj sepse shuam e vendeve tona është e madhe, por jemi të vegjël sepse jemi shumë të fragmentarizuar. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen kibernetike, nuk është ide e mirë të rrish veç, përkundrazi është ide e mirë që të bëhesh pjesë e qendrës për mbështetjen kundër incidenteve, një nismë e NATO-s për të mbledhur bashkë të gjitha vendet dhe për të formësuar një mbrojtje shumë më të fortë përmes ndarjes së të dhënave tona dhe ndarjes së infrastrukturës dhe kjo është thelbësore. Shqipëria është bëjnë nga të parat që është bërë pjesë dhe do të dëshiroja që të gjithë vendet të bëheshin pjesë. Nuk është ide e mirë që të jemi të ndarë. Na ekspertët e luftës kibernetike ka mësuar një gjë, është shumë e rëndësishme ta njohësh armikun dhe të njohësh instrumentet që përdor armiku në mënyrë që të mos duhet të përballesh vetë në momentin që mëson se armiku sulmon një tjetër”, u shpreh Rama.
Drejtues politikë, ekspertë të lartë, përfaqësues të industrisë dhe institucioneve të sigurisë nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerët e saj janë mbledhur në Tiranë, pasi kryeqyteti shqiptar mikëpret sot dhe nesër (9-10 tetor) një prej aktiviteteve më të rëndësishme të nivelit të lartë që trajton sfidat dhe strategjitë në fushën e mbrojtjes kibernetike në nivel global, Konferencën e tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mori pjesë në këtë Konferencë përmes një videomesazhi.
/rtsh.al/