Rama: Kemi në letër Inspektor të Lartë të Drejtësisë që duhet të ndjekë si respektohen të drejtat e njeriut

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në letra ka një inspektor të lartë drejtësie që ka detyrën të ndjekë procesin se si respektohen të drejtat e njeriut.
“Sikur të kishim për shembull Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Në letër e kemi, por në realitet? Si mundet? Të thotë: të shikojmë pak si ndiqet, si respektohen të drejtat e njeriut në të gjithë procesin?”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se edhe gjatë hetimit çdokush duhet trajtuar si qytetar i barabartë i Republikës.
“Kur futesh atje, je në një republikë tjetër atje. Domethënë kur futesh atje, ai që ke përballë vetëm se është prokuror është mbi ty dhe ti nuk je më një qytetar i barabartë i Republikës? Por je një mish atje, që mund të shqyhesh sipas oreksit të njërit dhe tjetrit?”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama tha se dy vite më parë i kishte kërkuar ministrit të Drejtësisë futjen e inteligjencës artificiale si te shërbimet dhe te procesi i integrimit.
“Ka dy vite që i kam thënë ministrit të Drejtësisë që është mundësia që siç po bëjmë revolucion digjital me shërbimet dhe procesin e integrimit, ku kemi futur inteligjencën artificiale dhe po funksionon me pastrimin e mbivendosjen në ligj, ku ministria e Drejtësisë dhe AKSHI kanë vënë në funksionim një model që shikon mbivendosjet e ligjeve. I kam thënë t’i propozojë Prokurorisë Speciale inteligjencën artificiale në të gjitha proceset dhe jo vetëm për të bërë këtë që është elementare që njeriu kur shkon atje të regjistrohet dhe zbardhet gjithçka që thotë”, tha ai.
“Jo flet e flet me orë të tëra dhe në fund i japin një copë letër e firmose këtu. Dhe të gjitha historitë e tjera pastaj mund të dalin dhe të thonë: jo nuk janë të vërteta se nuk ka gjurmë. Si në kohën e sigurimit të shtetit. Haje dru dhe pastaj thoshin: përqafoi vijën e partisë dhe u shpreh. Ra në dashuri me Partinë gjatë bashkëbisedimit me hetuesin”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se këto janë standardet dhe jo standard personale.
Kryeministri Rama vuri në dukje se se nuk ishte i gatshëm të pranojë abuzimin me njerëzit, me të vërtetën dhe standardet.
“Ne duam luftë kundër korrupsisonit. Kemi ngritur një Prokurori Speciale për të luftuar korrupsionin pa kompromis, por nuk do jemi të gatshëm të pranojmë abuzimin me njerëzit, me të vërtetën dhe standardet sepse ky është minimumi. Përndryshe kthehemi mbapa. Dhe kur kam folur për republikë prokurorësh, këtë kam pasur parasysh. Dhe këto janë shenja të qarta, që duhen frenuar tani, në bashkëpunim dhe me pozicion konstruktiv”, deklaroi ai. /j.p/