Rama: Kërkuam pastrimin e llumit në drejtësi që kur ishim në opozitë, me reformën po bëhet histori në Shqipëri

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se, kjo që po bëhet me reformën në drejtësi, është një kohë që po bëhet histori në Shqipëri.
Në konferencën me mediet, Rama tha se “ajo që po ndodh me drejtësinë nuk është se është shkëputur nga ajo që unë kam thënë, janë bashkë. Kur kam thënë se nuk janë njerëzit që korruptojnë, por sistemi që korrupton njerëzit, nuk e kam shpikur unë, është dituri publike kjo, e kam mësuar dhe e besoj 100%”.
Pikërisht, vijoi Rama, sepse e kam besuar atë që kam thënë, kam udhëhequr përpjekjen për Reformën në Drejtësi si pjesë e betejës për të ndërtuar një sistem që njerëzit nuk mund ta korruptojnë.
“Kur ju thoni sa shumë njerëz. E para nuk e di me çfarë e matni këtë. Shumë apo pak është relative. Dhe varet nga çfarë pike referimi nisesh për të thënë shumë ose pak. Partia Socialiste ka 800 mijë mbështetës do të ketë edhe më shumë në pranverë. Gjatë 3 mandateve ka patur mbi 50 ministra, besoj, mbi 500-600 drejtues vendorë, mund të ketë patur mbi 200 deputetë. Çfarë do të thotë shumë tani? E dyta, patjetër se ju dhe kush të dojë mund të thotë që Reforma në Drejtësi e solli Amerika me aeroplan, BE-ja me vapor nga Brindizi. Por kush njeh historinë e Reformës në Drejtësi mjafton të kthehet mbrapa kur ne ishim në opozitë, shumë më parë se 2013, se janë në dokumente. Ka një dokument të shkruar që opozita e asaj kohe ia ka çuar qeverisë së asaj kohe një dokument propozimesh që quhej “Pakti për shtetin e së drejtës”. Lexoni çfarë shkruhet aty në atë pakt. Dhe ka shënime nga prapa, për mbledhjet e PS-së në opozitë. Do e bëjmë Reformën në Drejtë, do e heqim drejtësinë nga duart e pushtet politik le të ketë çfarë do lloj kosto do e bëjmë. Janë fakte të shkruara këto dhe keni përballë kryedëshmitarin “, u shpreh Rama.
Kreu i Ekzekutivit theksoi se “ajo që unë di të them se nëse kjo po ndodh në Shqipëri, e kam thënë me kohë, të drejtën e autorit për faktin se u shemb një sistem dhe i keni të regjistruara që nga i ndjeri president që nuk është më, tek të tjerët, që më sulmonin kur thoja, që do e shembim këtë sistem drejtësie si arkitekturë. A do e pastrojmë llumin nga sistemi i drejtësisë. Janë fjali të miat të thëna shumë kohë përpara. Me vetingun u pastrua apo jo?. Mos valë mendoni që kur unë kam thënë në mënyrë të përsëritur që duam një drejtësi, që të shoh drejtë as majta as djathtas dhe kur të jetë për të goditur të godasë majtas e djathtas, mendoni se kam bërë retorikë. Kam menduar çdo gjë që kam thënë. Çdo gjë që them e mendoj, në kuptimin që e besoj. Kërkojeni një kryeministër në të gjithë Europën, s’po hyj në vendet nordike, që nuk ka bërë një koment për një çështje konkrete. Një. Dhe më thoni kush është? Ma sillni, pse, sepse unë që bëj koment edhe për punën tuaj vallë skam komente për të bërë? Kam plot, por është vendimmarrje strategjike kjo, që kemi hequr duart nga ai pushtet, është e hera parë në historinë këtij vendi. Mi kundërshtoni me fakte këto. Historia kur lexohet duket sikur është bërë nga njerëz që kanë ardhur nga hëna. Kjo është një kohe që po bëhet histori në Shqipëri. Unë s’jam këtu as për të ngrënë pula as për të shijuar jetën sipas mënyrës se si e kuptojnë shijimin e jetës ata që kanë më shumë vetura se çorape. Unë jam këtu për historinë dhe ne në këtë kohë po bëjmë historinë”.
“Por mos harroni është hera e parë që nga viti 1912, se kur ka pas Shqipëria një gjyq një proces të pa ndikuar nga pushteti politik, të paorintuar nga pushti politik, të padiskutuar nga pushte politik, që ka çuar deri në burg një person të lidhur me pushtetin politik. Ma thoni një rast. S’ka pasur për arsye të ndryshme në histori dhe s’ka pas sistem drejtësi siç duhet. Thonë që ka pasur drejtësi të mirë në kohë të Zogut. Mund të ketë patur për një nivel të caktuar por jo për ministra e Zogut dhe bashkëpunëtorët e tij. Më pas për ata që donte apo s’donte tigri, e kam fjalën për tigrin e komunizmit, pastaj donte apo s’donte skifteri, e kam fjalën për sorrën. Sot është kështu”, u shpreh Rama.
/e.xh/ /a.g/