E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rikandidimi i prokurorëve të SPAK, Rama: Do të diskutohet tek “Antikorrupsioni”

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se nuk ka ende asnjë opinion mbi kërkesën e SPAK për të lejuar rikandidimin pas mbarimit të mandatit, ndërsa u shpreh se gjithçka do të diskutohet në komisionin e posaçëm Antikorrupsion.

“Në prag të vitit të ri 2025 ju më bëni një pyetje që është për vitin 2028. Për sa i përket pyetjes konkrete nuk kam asnjë opinion, asnjë ngutje. Nëse do të kem një opinion do ta kem kur ta formoj nga bisedat me ata që duhet të merren me atë punë. Ne kemi një komision që do të vazhdojë edhe mandatin tjetër. Nëse do të vazhdojë në këtë formë apo do të kthehet në mekanizëm të ri të Kuvendit për të ndjekur procesin deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE për të gjitha reformat dhe performancat e institucioneve, këtë do ta shikojmë, por do të vazhdojë. Dhe aty do të diskutohen të gjitha. Ai është graviteti i gjithë kësaj, e pastaj do shohim”, shtoi Rama, në konferencën e fundvitit.

Duke u kthyer pas në kohën e hartimit të Reformës në Drejtësi, Rama kujtoi se kjo reformë u udhëhoq nga PS, ndërsa për çdo pjesë të saj u mor miratimi i SHBA-së dhe BE-së.

“Kthehuni që kur ka nisur dhe nëse gjeni një prononcim timin në gjithë procesin që duhet bërë kështu e ashtu, ndajeni dhe me mua. Por nuk besoj se ka. Ajo që kam thënë atëherë dhe kam bërë atëherë ka qenë: Këtë reformë e udhëheqim ne, ju doni apo nuk doni, do vini dhe do votoni. Çdo gjë që shkruajmë ne ka dy vija të kuqe: opinionin e SHBA-së dhe BE-së, po nuk u prekën këto dy vija të kuqe, pra çdo pjesë e reformës merr miratimin e tyre, unë personalisht e votoj pa asnjë diskutim. Kështu kam bërë unë personalisht”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se e ka ditur se çfarë vjen qoftë në gjërat e mëdha dhe pozitive, qoftë në gjërat negative.

“Unë i kam pritur, se natyrisht ka edhe gjëra negative në tërësinë e vetë, sepse bëhet fjalë për të ngritur një shtet të ri de facto në pjesën e pushtetit gjyqësor”, shtoi Rama./r.e/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›