Rama: Koalicioni jonë politik, në rrugën e duhur të historisë
Koalicioni politik është në anën e duhur të historisë. Kështu u është drejtuar pjesmarrësve të Kongresit të 20 vjetorit të krijimit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kreu i Partisë Socialistë dhe drejtues i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, z. Edi Rama. I ftuar nderi në këtë event të rëndësishëm për këtë parti ai vlerësoi rolin e kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule, duke e vlerësuar jo politikan të mllefit dhe baltës, por një politikan të ideve që e ka udhëhequr mbi parime PBDNJ. Në këtë kontekst Rama ka shigjetuar edhe të “larguarit” nga partia e tij duke u shprehur se më mirë pa ta dhe në hall me ta.
“Vangjeli është një qytetar fisnik dhe qytetar dinjitoz që nuk ka rendur pas posteve. Nuk ka qenë politikan i mllefit dhe i baltës por i ideve, e ka udhëhequr mbi parime PBDNJ, këtë parti të vogël por me peshë të madhe në politikën shqiptare. Bashkëpunimi jonë nuk është karakterizuar asnjëherë nga hatërmbetje për interesa persona, sic kanë bërë disa anëtarë të vetë partisë sonë, që mirë kanë bërë se do të ishit më në hall me ta se pa ta. Dule ia doli fuqishëm përballë përpjekjeve të pushtetit për të përcarë këtë parti. Këmbëngulja për zbardhjen e rezultateve zgjedhore i jep dhe më tepër vlerë kësaj partie. Ne duhet të ndërtojmë Shqipërinë europiane këtu, ku duhet të marrë fund hija e korrupsionit, hija e varfërisë që ka kapur vendin. Koalicioni ynë për të ardhmen është në anën e duhur të histories, sepse kemi vështrimin e duhur për ekonominë, punësimin, për europianizimin e Shqipërisë”tha ai.
Më tej Rama ka sjellë edhe një herë në vëmendjen nevojën për taksimin progresiv, punësimin, zhvillimin rural, qëndrimin kundër ndaj importit të mbeturinave, respektimin e pakicave dhe një sërë elementësh të tjerë, pjesë të programit për një Rilindje Shqiptare, që sipas Ramës është pasaporta e vetme për një Shqipëri ndryshe, pjesë të bashkësisë europiane.
Në vijim ky Kongres është përshëndetur edhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama dhe z. Spartak Ngjela.