Dule: PBDNJ, parti multikulturore e multifetare
Në 20-vjetorin e PBDNJ-së, kryetari Vangjel Dule bëri një historik të shkurtër të partisë, duke u shprehur se ajo që u themelua si mbrojtëse e të drejtave të minoritetit grek, u bë më pas partia e të gjitha minoriteteve.
U krijua si parti e minoritetit grek, sepse iu mohua e drejta Omonias. Por shumë shpejt u bë partia e komuniteteve dhe shtresave të margjinalizuara. Duhet theksuar një element: PBDNJ nuk është thjesht një formacion politik që lufton për të drejtat e minoriteteve. Në mënyrën e vet të strukturimit është një parti multikulturore e multifetare, tha Dule.
Më tej ai u ndal në kontributin që PBDNJ-ja ka dhënë në qeverisjen vendore, duke drejtuar jo vetëm komuna, por edhe bashki si ajo e Himarës, dhe e Poliçanit. Dule vlerësoi figurën e Vasil Bollanos në krye të Bashkisë së Himarës për 3 mandate.
Kemi drejtuar me sukses Bashkinë e Poliçanit. Nuk duhet të harrojmë veprën e Bollanos në Himarë. Brigje detare e ndërtesa që masakruan hapësirën urbane. Për 3 mandate radhazi, ai orientoi politikat drejt pikave më moderne të zhvillimit turistik.
Gjithashtu, Dule ftoi për rikthim të larguarit nga PBDNJ.
Kongresin e sotëm e hapi Ligoraq Karamelo, 8 vjet deputet. Rruga e tij me timen dhe shumë drejtues të PBDNJ-së u ndanë, por duke përjetuar rrugët e ndara, konstatonim përditë e më tepër domosdoshmërinë e të qëndruarit bashkë. Ata që u larguan i ftoj të kthehen në strehën e përbashkët, tha Dule.
20-vjetori i PBDNJ-së, Rama: Dule, politikani që nuk rend pas karrigeve, por pas parimeve
Në 20-vjetorin e themelimit të saj, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut organizoi një aktivitet në të cilin ishin të pranishëm krerë të partive të opozitës e maxhorancës. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i PS-së, Edi Rama, e vlerësoi figurën e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Vangjel Dule nuk është politikani që rend pas karrigeve, por zgjedh të rendë pas parimeve. Ai e ka udhëhequr PBDNJ mbi vlera dhe parime të qarta duke vënë një gur themeli personal në politikë. Ka qenë gjithnjë i pari në përpjekjet për të vënë në pah vlerat dhe parimet e kësaj partie në ditë të mira apo të vështira dhe asnjëherë nuk ka rendur të marrë për vete një karrige qeverie, tha Rama.
Rama u shpreh se Dule e ka udhëhequr PBDNJ-në mbi vlera dhe parime të qarta duke vënë një gur themeli personal në politikë. Ka qenë gjithnjë i pari në përpjekjet për të vënë në pah vlerat dhe parimet e kësaj partie në ditë të mira apo të vështira dhe asnjëherë nuk ka rendur të marrë për vete një karrige qeverie. Duhet të jetë diçka e madhe që një kryetar i juaji nuk është ulur asnjëhere në karrige ministri. Dhe në opozitë, dhe pozitë, Vangjeli ka qenë po ai qytetar fisnik dhe dinjitoz në raport me gjithe të tjerët dhe publikun në radhë të parë, tha Rama.
Ai theksoi se PBDNJ, ndryshe nga parti të tjera që u tunduan nga postet në qeveri, nuk është lëkundur asnjëherë në koalocionin me PS-në. Bashkëpunimi ynë nuk është trazuar asnjëherë siç është karakteristikë e politikës shqiptare ku bëhen pazare, siç kanë rënë ca ish-miq tanët, po më mirë pa ta, se do ishim në hall me ta, tha Rama.
Topalli: PBDNJ, filozofi të njëjtë me BE-në
Në festimin e 20-vjetorit të PBDNJ-së ishte e pranishme edhe kryeparlamentarja Topalli, e cila u shpreh se PBDNJ ka moshën e demokracisë dhe filozofi të njëjtë me atë të Bashkimit Europian.
Ju duhet të jeni krenarë për Vangjel Dulen. A ka gjë më të rëndësishme se të arrijë të drejtën që ai kërkon. Filozofia juaj përkon me filozofinë e BE-së. Partia juaj ka moshën e demokracisë. Sepse nuk mund të lindte përpara. Unë dua të shpreh respektin më të madh për ju, ju konsiderojmë si motra dhe vëllezër. Unë ju uroj shumë suksese dhe jam e kënaqur që shoh zonja, vajza e djem të rinj, tha Topalli. / G.N.